Ushtria amerikane shton praninë në Haiti

Bota

Ushtria amerikane shton praninë në Haiti

Më: 19 janar 2010 Në ora: 21:53

Turma të mbijetuarish haitianë brohoritën, ndërsa rreth njëzet helikopterë amerikanë sollën ushtarë në lëndinën e pallatit.

Trupat kanë shkarkuar furnizime me ushqime, ujë dhe pajisje dhe korrespondentët thonë se ata duket se po ngrejnë një lloj baze.

Mijëra trupa amerikane janë në Haiti tashmë duke u përpjekur të ruajnë rregullin dhe qetësinë.

Ata po konsiderojnë edhe nëse të përdorin ndihma nga ajri në gjithë Haitin për të mbijetuarit, megjithë shqetësimet se kjo mund të shkaktojë trazira.

Ngarkesa e parë me ndihma që erdhi në Haiti nga porti ka filluar të shkarkohet.

Porti u dëmtua ndjeshëm nga tërmeti dhe anijet e mëdha e kanë patur të vështirë të ankorohen atje.

Shpërndarja e ndihmave përmes rrugëve automobilistike është penguar nga shqetësimet për sigurinë e tyre.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka votuar ndërkohë të dërgojë 3500 trupa shtesë në Haiti për ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe mbrojtjen e furnizimeve humanitare.

Këto do t'i shtohen më shumë se nëntë mijë trupave të OKB-së që janë në Haiti.

Sarkozy vlerëson kontributin amerikan

Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, ka ndërhyrë për të shpërndarë disa njoftime për ndarje që thuhet se ekzistojnë midis Parisit dhe Uashingtonit mbi ndihmën që po i dërgohet Haitit.

Zoti Sarkozy doli me një deklaratë ku mirëpriste atë që ai e quajti mobilizim i jashtëzakonshëm i SHBA-së drejt Haitit dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm, që ata po luanin në terren.

Të hënën, një ministër i qeverisë franceze, Alain Joyandet duket se inkurajoi njoftimet për një ndarje me Uashingtonin kur ai kërkoi sqarim për rolin e Amerikës.

Ai tha se përpjekja për ndihmë duhet të jetë për të ndihmuar Haitin dhe jo për ta pushtuar atë.

SHBA për logjistikën

Ish presidenti amerikan Bill Clinton, që është i ngarkuari special i OKB-së për Haitin thotë se bashkëpunimi mes amerikanëve dhe trupave të OKB-së është duke përmirësuar përpjekjet e ndihmës.

Zoti Clinton tha se ushtria amerikane ka bërë një punë të mirë në organizimin e aeroportit të kryeqytetit.

Ai tha se operacionet e ndihmës ishin bërë më të qeta.

"Jam i inkurajuar nga marrëveshja që nënshkruan Sekretarja amerikane e Shtetit dhe presidenti Preval dhe momorandumi i mirëkuptimit mes trupave amerikane, që OKB-ja të vendos sigurinë, ndërsa amerikanët të sigurojnë logjistikën dhe shpërndarjen," tha Bill Clinton.

Shtetet e Bashkuara thonë gjithashtu se do të lejojnë fëmijët jetimë që të vendosen përkohësisht në SHBA me qëllim që të marrin trajtim mjeksor.

Sekretarja për Sigurinë e Brendshme, Janet Napolitano, tha se SHBA-ja ishte e angazhuar për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të ndihmuar në ribashkimin e familjeve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat