Evropa ndërpret fluturimet ajrore si pasojë e hirit vullkanik - Bota Sot
Evropa ndërpret fluturimet ajrore si pasojë e hirit vullkanik

Bota

Evropa ndërpret fluturimet ajrore si pasojë e hirit vullkanik

Më: 16 prill 2010 Në ora: 08:51

Udhëtarët e aeroplanëve mund të përballen me vonesa disa ditëshe për shkak të resë së madhe nga vullkani në Islandë, i cili detyroi mbylljen e trafikut ajror në Evropën Veriore, ndërsa mijëra udhëtarë mbetën mbetën në aeroportet e Evropës dhe botës.

Grupi për trafikun e kontrollit, Eurocontrol, tha se sot pritet të anulohen gjysma e të gjitha fluturimeve ndërmjet Evropës dhe Amerikës Veriore.

Autoritetet në Belgjikë, Britani Danimarkë, Holandë, Norvegji dhe Suedi u detyruan të mbyllin hapësirën ajrore për shkak se pluhuri vullkanik mund t’i bllokojë motorët e aeroplanëve.

Retë gjigante të hirit të një vullkani në Islandë kanë paralizuar që prej ditës së enjte transportin ajror në Evropën e Veriut. Në Gjermani, Britaninë e Madhe, Irlandë, vendet e Beneluksit dhe shumë vende skandinave është pezulluar plotësisht funksionimi i aeroporteve. Në Gjermani nga 16 aeroportet ndërkombëtare vetëm tre janë ende hapur: ai i Mynihut, Nürnbergut dhe Stuttgartit. Që prej së premtes në mëngjes janë mbyllur aeroporti i Frankfurtit, i Dyseldorfit, Këlnit etj. 60 për qind e fluturimeve në Evropë janë anuluar, bën të ditur autoriteti për sigurinë e fluturimeve Eurocontrol në Bruksel. Normalisht çdo ditë në Evropë kryhen rreth 28.000 fluturime.Më të prekura Britania e Madhe dhe Franca e VeriutDeri dje më e prekur ishte Britania e Madhe. Deri sot asgjë nuk lëviz në hapësirën ajrore mbi Britaninë e Madhe. Vetëm në raste shumë urgjente janë lejuar të ulen dhe nisen avionë, apo helikopterë mbi territorin britanik. Kjo është hera e parë në histori që autoritetet bllokojnë plotësisht hapësirën ajrore mbi Britaninë e Madhe. As pas atentatit terrorist të 11 shtatorit 2001 nuk u pezullua plotësisht qarkullimi ajror. Në aeroportet britanike mijëra pasagjerë kanë mbetur të bllokuar. Edhe pas heqjes së ndalim fluturimit, sipas ekpertëve do të duhen ditë, derisa tranporti ajror të normalizohet plotësisht.

Reja prej hiri vullkanor mbërriti të enjten në mbrëmje në shtetet e Beneluksit dhe veri të Francës dhe vazhdoi të lëvizë në drejtim të Gjermanisë. Të enjten në mbrëmje u mbyllën deri në një njoftim të dytë aeroportet në Hamburg, dhe Berlin. Dy aeroportet e mëdha të Parisit do të mbylleshin nga ora 23.

Se si do të zhvillohet më tej situata, varet nga aktiviteti i vullkanit, si dhe nga kushtet atmosferike. Sipas vlerësimit të Eurocontrol në Bruksel problemet mund të vazhdojnë edhe 48 orë të tjera.

Mijëra pasagjerë të prekur nga pezullimi i fluturimeve

Gjeologu islandez Reynir Bëdvarsson nuk pret që vullkani nën akullnajën në jug të Islandës të qetësohet së shpejti:

"Kjo gjendje do të vazhdojë ditë, javë e ndoshta muaj. E gjithë Evropa mund të preket nga pasojat dhe në varësi të drejtimit të erës ndoshta edhe Amerika e Veriut. Përsa kohë vullkani do të vazhdojë të nxjerrë hi me këtë forcë, mund të ketë probleme transporti ajror në një zonë të madhe.“Komisari i BE-së për Transportin, Siim Kallas ka theksuar se megjithë situatën e jashtëzakonshme do të vazhdojnë të jenë të vlefshme të drejtat evropiane të pasagjerëve. Kjo do të thotë që çdo pasagjer, i cili nuk mund të kryejë fluturimin e prenotuar, ka të drejtë të kërkojë nga shoqëria ajrore përkatëse ushqim dhe strehim në aeroport dhe në disa raste fjetje në hotel. Përveç kësaj pasagjerët e prekur mund të kërkojnë kthimin e çmimit të biletës së fluturimit. Por pasagjerët nuk kanë të drejtë të kërkojnë zhdëmtimin e zakonshëm financiar për anulimin e fluturimeve, apo vonesat. Këto vlejnë vetëm në rastet, kur për problemet është përgjegjëse shoqëria e fluturimit. Një pasagjer në Franfkurt gjen fjalët e duhura:

"Është e drejta e vullkanit të shpërthejë, kjo është forcë madhore."

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...