Obama mbron reagimin e qeverisë ndaj klerikut që planifikonte djegien e Kura'nit

Bota

Obama mbron reagimin e qeverisë ndaj klerikut që planifikonte djegien e Kura'nit

Më: 11 shtator 2010 Në ora: 09:25

Presidenti amerikan Barak Obama ka thënë se qeveria ishte e “detyruar” t’ia bënte të qartë klerikut amerikan që planifikonte të digjte kopje të Kura’nit se veprimet e tij do të rrezikonin trupat amerikane.

Presidenti Obama th dje në një konferencë shtypi se nuk beson që qeveria ka “shtuar rëndësinë e ngjarjes” duke kontaktuar të përndershmin Teri Xhons. Ai tha se zyrtarët duhej të dërgonin mesazh të qartë se sjellje të tilla do të rrezikonin ushtarët amerikanë dhe do të përdoreshin si vegël rekrutimi për al-Kaidën.

Obama tha se ishte e nevojshme që çështja të merrej me seriozitet sepse do t’i shkaktonte Shteteve të Bashkuara, siç u shpreh ai, “dëme të rënda në mbarë botën”. Presidenti përmendi si shembull trazirat në Kabul.

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts, e telefonoi klerikun Xhons dhe i kërkoi që të mos vazhdonte me planet për të djegur Kura'nin. Agjentë nga Byroja Federale e Hetimeve gjithashtu folën me klerikun në kishën e tij 50-anëtarëshe në Florida.

Xhons tani thotë se nuk planifikon më ta djegë Kura'nin, përderisa i mundësohet që të takohet me imamin që po drejton planet për hapjen e një qendre islame në Nju Jork, afër vendit ku dikur ndodhej Qendra Botërore e Tregtisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat