Thirrja për artefaktet, në ‘vesh të shurdhër’

Kultura

Thirrja për artefaktet, në ‘vesh të shurdhër’

Nga: Bruna Merko, Bota Sot Më: 28 qershor 2009 Në ora: 14:44

Një pasuri e konsiderueshme e trashëgimisë kulturore shqiptare ende dhe sot, pas dhjetë vjetësh mbetet “pengu” i Beogradit. Janë mbi një mijë artefakte, “plaçka e luftës”, të cilën Serbia nuk po e “kthehen në vendin e vetë”, madje duket se në këtë aspekt, Serbia është në “gjumin letargjik”. Koleksioni i përbërë nga 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike, pret kthimin në shtëpinë e tyre.

Vetëm disa kohë më parë, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, institucion të cilit i takojnë këto artefakte, Arbër Hadri, ka deklaruar se së shpejti do të niste edhe fushata e dytë “Dua të kthehem në shtëpi”. E megjithatë ka kaluar një kohë e gjatë që kjo fushatë po zvarritet. Sipas Hadrit, nisja e kësaj fushate sensibilizuese është vetëm çështje kohe. Ndërsa Ministria e Kulturës, e cila e financon këtë projekt, ka deklaruar për gazetën se po pret detajimin e mëtejshëm për fushatën që të jap “Ok”. “Arbër Hadri e ka sjellë projektin në Ministrinë e Kulturës, ndërsa i është kërkuar që ta sjellë më me detaje këtë projekt të rëndësishëm kulturor. Ne natyrisht që do ta mbështesim, sepse jemi për nisjen sa më shpejt të kësaj fushate, sepse trashëgimia jonë ka mbetur ende në Beograd dhe duhet të kthehen menjëherë ato artefakte”, është shprehur Arbërore Riza, këshilltarja për median e ministrit Beqiri.

Kthimi i koleksionit është cekur edhe në Pakon e Ahtisarit, mbikëqyrësit e e të cilës nuk janë bërë shumë “merak” për zbatimin e saj, duke e konsideruar si një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar. Ndërsa ishte paraparë që brenda 120 ditëve nga hyrja në fuqi e "Pakos së Ahtisarit" si dokument ndërkombëtarisht i pranuar të bëhej edhe kthimi i tyre.

“Ne me këtë fushatë duam të sensibilizojmë edhe opinion ndërkombëtar dhe atë në Serbi. Për të bërë një presion edhe më të madh sepse citohet edhe në Planin e Ahtisarit, aneksi pesë, që këto artefakte të kthehen sa më shpejt. Mirëpo deri më tani kemi hasur në “vesh të shurdhër” nga autoritet serbe. Ne shpresojmë që këto artefakte të kthehen sa më shpejt në Kosovë.”, ka deklaruar këshilltarja Riza.

Një fushatë e tillë ka nisur qysh në vitin 2001, ndërsa pati si rezultat kthimin e një prej eksponateve më të rëndësishme të identitet tonë, “Hyjneshën në Fron”, e cila është 6 mijë vjet e vjetër dhe i takon Epokës së Neolitit-Eneolitit.

Ndërsa pjesa tjetër e mbetur atje përbëhet nga eksponatet më të përzgjedhura të thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës. Si eksponate të periudhës së Neolitit, Epokës së Bronzit, Epokës së Hekurit, Periudhës së ndritur të Mbretërisë Dardane, Periudhës së Dardanisë Romake, si dhe Dardanisë Arbërore dhe periudhës së iliro-arbëror. Si edhe eksponate të veshjeve popullore, punimeve të dorës nga ari dhe argjendi etj. Të gjitha këto eksponate janë marrë përkohësisht për ekspozim me qëllim të organizimit të Ekspozitave "Thesari Arkeologjik i Kosovës" dhe "Thesari Etnologjik i Kosovës" në muajt shkurt-mars të vitit 1999. Me ndërhyrjen e NATO-s ky koleksion është vendosur përkohësisht në depot e Muzeut Popullor të Beogradit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat