Gjurmët ilire, që Serbia donte t’i fshehte

Kultura

Gjurmët ilire, që Serbia donte t’i fshehte

Nga: Kastriot Shehdadi, Bota Sot Më: 16 korrik 2009 Në ora: 15:24

Gërmimet arkeologjike që po bëhen në Ponoshec të Gjakovës, ku deri më sot janë gjetur tri tuma ilire, por që dyshohet të ketë dhe të tjera përreth, ditën e djeshme këto punime i ka përcjellë dhe është njohur me arritjet e deritanishme edhe ministri i kulturës, Valton Beqiri, ministria e të cilit e mbështet këtë projekt. Në Ponoshec, janë duke zhvilluar gërmime me karakter shpëtimi në Tumat e Ponoshecit. Gërmimet e deritashme kanë rezultuar me gjetje jashtëzakonisht interesante të artefakteve dhe me dokumentim të Epokës së Hekurit në shekujt XII – X para erës sonë dhe të periudhës së fundit të Epokës së Hekurit në shekujt VI – IV para erës sonë.

Gërmimet arkeologjike, të cilat datojnë nga koha e bronzit dhe që dëshmojnë qytetërimin ilir, në Kosovë, janë dëshmi më e fortë për prejardhjen e kësaj popullsie.

Sipas arkeologut, Shafi Gashi, këto tuma i përkasin grupit kulturor ilir, që janë të ngjashme me tumat përreth që sot janë edhe në kufijtë gjeografik të Shqipërisë, si ato të Bujanit, Krumës, lagjeve të Kukësit e të tjera. Magjistër Shafi Gashi bashkë me kolegun e tij arkeolog Masar Valla kanë bërë të ditur se ndër këto tuma janë gjetur edhe materiale të vjetra të përdorura të kohës ku nuk kanë munguar edhe materiale prej argjendi, që vlerësohet të jetë ndoshta edhe si unikat deri më tani, si dhe një simbol tjetër dekor i luftëtarit për të patur fatin e mirë, (e njohur në zhargonin popullor si hajmali) që përbëhet prej dy kokave gjarpërinjsh dhe që është dokumentuar se gjarpri ka qenë simbol ilir. Njëra prej tri tumave tek lumi Labenicë, tek lokacioni i quajtur Arëz në Ponoshec që është në pronësi të Halil Ahmetit, është dëmtuar nga forcat serbe pasi mbi të ishte një ngritur një istikam. Për mbështetjen që ka dhënë si ministri për këtë ekspeditë arkeologjike, ministri Valton Beqiri është shprehur se ka qenë i motivuar nga trashëgimia kulturore historike. “Këto janë rezultatet e para në ruajtjen e trashëgimisë kulturore që janë evidente .Këto zbulime argumentojnë qytetërimin e Kosovës në kohërat e vjetra, pa u lënë vend thashethemeve” është shprehur ministri Beqiri, duke shtuar se asnjëherë gjurmime të tilla nuk janë kryer në kohën e ish Jugosllavisë kur Kosova ishte e aneksuar. Këto janë fakte se Kosova është trevë ilire dhe në luftën e fundit tuma më e rëndësishme ndër këto tri tuma është dëmtuar nga forcat serbe porse megjithatë kemi materiale të shumta që dokumentojnë historinë tonë”.Në shoqërim të ministrit Beqiri ka qenë edhe kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, që për këto gjetje të rëndësishme arkeologjike ka thënë se “po tregohet etnogjeneza e një populli që i përkasim dhe se gjithmonë do të jemi mbështetës të fuqishëm në hulumtime të tilla të thesarit ilir”.

Për këto tri tuma është vënë dyshimi shumë vite më përpara por në vitin 2002 është vënë dyshimi i bazuar dhe tani një muaj po kryhen punime arkeologjike që pritet të përfundojnë përafërsisht edhe shtatë ditë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat