Shqipja në ‘sitë’ - Bota Sot
Shqipja në ‘sitë’

Kultura

Shqipja në ‘sitë’

Nga: Besa Dodaj Më: 27 gusht 2009 Në ora: 15:25

Është zhvilluar dje sesioni shkencor i gjuhësisë në kuadër të seminarit të njëzetetetë ndërkombëtar të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Në qendër të ligjëratave të studiuesve vendor dhe huaj ishte tema “Shqipja e folur dhe shqipja standarde”. Sesionin shkencor rreth gjuhësisë e hapi profesor Imri Badallaj, me temën “Pse çalon realizimi i shqipes?”. Sigurisht një sërë ligjërimesh u fokusuan rreth problemeve me të cilat has sot gjuha standarde shqipe, studiuesit nga Kosova dhe Shqipëria kanë diskutuar rreth kësaj teme.

Nuhi Veselaj solli për të pranishmit temën "Koinezimi i të folmeve në dialekte dhe standardizimi i gjuhës shqipe", ku ndër të tjerash theksoi faktin se shqipja standarde nuk është varur asnjëherë nga të folmet e veçanta, por nga raportet ndër dialektore. "Shqipja që në antikë paraqitet e koinezuar në dy dialekte gegë në veri e toskë në jug, por ajo asnjëherë nuk i ka këputur plotësisht raportet ndër-komunikuese", u shpreh Veselaj.

Kumtesa me interes mbajtën edhe studiuesit Ardian Doka me “Shqipja popullore dhe mbivendosja e varianteve”, Mustafa Ibrahimi “Ndikimi i faktorëve sociolinguistikë në zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe”, studiuesja Bade Bajrami, e cila solli një ligjërim rreth gjuhës që përdorin politikanët në Kosovë duke vënë theksin në problematikën e shqipes së folur dhe shqipes standarde, e cila shpesh është interpretuar edhe si lufta mes të saktës dhe të pasaktës.

Ndërsa një pjesë të veçantë në këtë sesion shkencor zunë kumtesat rreth gjuhës s mediave shqiptare, kështu gjuhëtari Kledi Satku foli rreth “Ndikimit të televizionit dhe prirjeve të gjuhës së fëmijëve”. Ndërsa Lindita Tahiri ligjëroi për “Tonin bisedor të gjuhës së mediave në Kosovë”.

Gjatë këtij sesioni kanë ligjëruar edhe studiuesi arbëresh Agostino Giordano me temën “Arbërishtja, arbërishtja standarde dhe shqipja”. Ndërkaq profesor Isa Bajçinca ligjëroi kumtesën “Standardi dhe gjuha e eseve të nxënësve të shkollës së mesme të ulët”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...