Ndërroi jetë Prof. Ymer Jaka

Kultura

Ndërroi jetë Prof. Ymer Jaka

Më: 18 tetor 2009 Në ora: 14:31

Pas një sëmundjeje të shkurtër dhe të rëndë, në orët e para të së dielës, në Prishtinë u nda nga jeta profesori universitar, studiuesi dhe përkthyesi i njohur Pr.Dr. Ymer Jaka.

Profesori ka qenë profesor i gjuhës frënge në gjimnazin e Gjakovës e pastaj edhe gazetar i Radio Prishtinës.

Gjatë viteve 1965 deri më 1967 ishte redaktor përgjegjës i Entit të Botimeve Shkollore në Prishtinë. Ndoqi dhe mbaroi studimet pasuniversitare në Fakultetin Filologjik jashtë Kosovës, ndërsa dy vjet (1968 – 1970) qëndroi në Paris, si bursist i Qeverisë së Francës, ku bëri kërkime për përgatitjen e tezës së doktoraturës me temën “Skënderbeu në letërsinë frënge”, të cilën e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1977. Shkroi dhe botoi veprat “Lidhjet letrare shqiptaro-frënge (1979)”, “Skënderbeu në letërsinë frënge” (1990), “Skënderbeu në historigrafinë frënge” (2000), kurse shquhen përkthimet e tij nga frëngjishtja në shqip të “Bardhaa e Temalit” nga Pashko Vasa, “Ekzistencializmi është humanizëm” të Sartrit, “Letrat filozofike”, “Filozofia e padijshme” të Volterit, si dhe vepra të tjera autorësh frëng me vlera botërore.

Por Prof. Dr. Ymer Jaka nuk ishte vetëm personalitet i shkenccës. Një kohë ishte edhe sekretar (ministër) Krahinor i Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, një funksion nga i cili u shkarkua pas demonstratave të vitit 1981 me cilësime si nacionalist e me koncepte liberale.

Gjatë viteve të konsolidimit të forcave demokratike në Kosovë kundër dhunës dhe synimeve antishqiptare, ishte njëri nga ata që nuk kurseu mundin as dijen. Përveç se nënshkroi Apelin 215, ishte në grupin themelues të Këshillit Për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut më 1989 dhe më pas të disa partive.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat