“Maqedonasit”, përpjekje për ta sllavizuar Shkupin

Kultura

“Maqedonasit”, përpjekje për ta sllavizuar Shkupin

Nga: B.Dodaj Më: 14 shkurt 2010 Në ora: 14:37

Pas shumë polemikave dhe debateve të shkaktuara për shkak të publikimit të veprës së ashtuquajtur “Enciklopedia maqedonase”, shteti maqedonas nuk resht asnjëherë së “befasuari” me ide dhe plane të “çuditshme”. Pas promovimit të projektit 2010 nga Komuna Qendër e Shkupit dhe Ministria e Kulturës së Maqedonisë, opinioni publik ka reaguar ashpër ndaj këtij projekti.

Agjencia e lajmeve INA ka njoftuar se sipas qytetarëve, ekonomistëve dhe politikanëve qëllimi i pushtetit që ta ndryshojë pamjen e qytetit të Shkupit ka hapur çështje etnike dhe fetare. Kështu që një nga analistët dhe publicistët shqiptarë të Maqedonisë Njazi Muhamedi është shprehur për këtë agjenci se Shkupi pas katër viteve do të jetë një qytet i ndarë, i cili do t’i ngjajë Belfastit. Sipas tij nga njëra anë do të jenë përmendoret e maqedonasve ndërsa nga ana tjetër ato të shqiptarëve.

Muhamedi ka theksuar se në Maqedoni po instalohet një gjeografi kulturore në bazë të së cilës sipas tij po mbillet historia maqedonase në sheshin e Shkupit.

“Këtu kemi edhe figura kontroverse të historisë maqedonase si Nikolla Karev, apo Goce Dellçev, sepse nuk është e prerë nëse ata i takojnë bullgarëve apo maqedonasve. Ato njëherë do të vendosen dhe nuk mund të shkulen kur do t`i teket dikujt. Mendoj se do të ketë reagime edhe nga bullgarët. Ne si shqiptarë duhet të kemi kujdes dhe të mos biem pre e diskursit politik maqedonas se çfarë duam. Pse lihet në harresë dhe heshtje trashëgimia ilire, e cila na takon neve si mbreti Justinian, Skupi i vjetër, etj” ka nënvizuar Muhamedi.

Në mënyrë simbolike ndarjen e Shkupit e ka paraqitur edhe Lëvizja Zgjohu. Kjo lëvizje të shtunën kishte ngritur një mur të improvizuar në mes të Urës së Gurit, i cili u rrënua në mënyrë simbolike, për të shprehur revoltën kundër projektit siç theksuan ndarës “Shkupi 2014”. “Projekti Shkupi 2014 ndërton mure si ky mur, që e kemi pas shpine në mes të Urës së Gurit dhe ne të rinjtë, shqiptarë dhe maqedonas, jemi të kundër ndërtimit të mureve për të ndarë qytetin në dy anë, për t`i ndarë komunitetet etnike dhe për t`i ndarë bashkësitë fetare duke rrezikuar bashkëjetesën dhe harmoninë qytetare. Andaj jemi tubuar këtu në Urën e Gurit, që paraqet një simbolin e bashkëjetesës. dhe tolerancës midis kombeve dhe feve”, ka theksuar përfaqësuesi i “Zgjohu!”, Bekim Hoxha.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat