Ngjashmëria midis vrasjes së princit Ferdinand dhe presidentit polak

Opinione

Ngjashmëria midis vrasjes së princit Ferdinand dhe presidentit polak

Nga: Enver Bytyçi Më: 14 prill 2010 Në ora: 15:11

"Kjo është gjithashtu tragjedia jonë"! Me këto fjalë i është drejtuar kryeministri rus, Vladimir Putin, kolegut të tij polak, Donald Tusk, kur ky i fundit kishte mbërritur në vendin e tragjedisë, në Smolensk të Rusisë, aty ku gjeti vdekjen presidenti polak, Lech Kaczynski. Lech Kascynski ishte nisur nga Varshava për në qytetin rus të Katynit me qëllim që të nderonte 22000 viktimat polake, të cilat regjimi dhe shërbimi i fshehtë rus i kohës së Stalinit i kishte asgjësuar më 1940. Këta burra të shquar të elitës polake: - oficerë, policë, intelektualë, profesorë e doktorë të shkencave, - i kanë munguar që prej 70 vitesh Polonisë, ndërkohë që në popullin polak është kristalizuar ideja se: "Nëse kjo elitë e zhdukur mizorisht nga ana e regjimit stalinist do të kishte mbijetuar, atëherë fati dhe e ardhmja e Polonisë do të ishte krejt ndryshe".

Lech Kascynski i kishte nderuar gjithmonë viktimat e regjimit stalinist, duke i bërë një shërbim të madh vendit të tij. Ndërkohë Vladimir Putin e kishte përjetuar respektin e liderit karizmatik polak si një sfidë, madje me ndjenjën e urrejtjes. Kjo marrëdhënie midis dy presidentëve të dy vendeve armiqësore midis tyre për gati një dekadë nuk kishte njohur shkrirje akujsh. Lech Kascynski nuk kishte pranuar asnjë herë ta vizitonte Moskën dhe Kremlinin. Ai kishte fluturuar dhe madje rrezikuar në udhëtim për të mbërritur në gushtin e vitit 2008 në Tbilisi dhe për t'i shprehur solidaritetin e vendit të tij me Gjeorgjinë dhe presidentin e saj, Shakashvili. Ky akt kishte ndihëmuar botën që të zbulonte më mirë karakterin agresiv të Moskës kundër Gjeorgjisë dhe vendeve të tjera fqinjë. Presidenti i ndjerë polak kishte përjetësuar emrin e luftëtarit të shquar çeçen e antirus, Dudajev, duke emërtuar me këtë emër një nga sheshet e Varshavës, shfaqje kjo e hapur e një qëndrimi refuzues të hegjomonisë rusë në vendet fqinjë të saj. Dhe më së fundi Lech Kascynski kishte bllokuar disa herë marrëveshjet europiane, duke i kushtëzuar ato me ndërprerjen e punimeve në gazsjellësin e veriut, ndërmarrje kjo e Vladimir Putin në bashkëpunim me ish-kancelarin gjerman, Gerhard Schröder. Ai donte që ta evitonte me çdo kusht ndërtimin e këtij gazsjellësi nga Rusia në Gjermani dhe Europë, sepse anashkalonte Poloninë, megjithëse kalon në detin pranë saj. Lech Kascynski e kishte gjetur sigurinë e tij në miqësinë me SHBA-të, të cilave u kishte siguruar stacionimin e raketave antibërthamore në vendin e tij.

Ndaj ish-presidenti i ndjerë i Polonisë shihej në vendin e tij si një idol, si një simbol, ndërkohë që vdekja tragjike e ka shndërruar atë në një mit. Tashmë polakët, të majtë e të djathtë, do të kenë një pikë referimi të dytë, përveç masakrës ruse kundër 22000 viktimave të pafajshme të elitës polake. Në të vërtetë nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e njerëzimit që elita intelektuale, politike e shkencore e një vendi të asgjësohej totalisht, si në këtë rast. Kjo masakër i kalonte kufijtë e imagjinatës, ndërkohë që në Poloni vazhdon të përjetohet si tragjedia më e madhe nacionale. Pas kësaj mizorie staliniste të mbrojtur me fanatizëm prej Vladimir Putinit, rrëzimi i avionit dhe vdekja e presidentit të vendit së bashku me të shoqen si dhe 94 njerëz prominentë të Polonisë duket se do të mbetet një ngjarje tjetër e përmasave tragjike. Qyteti i vogël Katyn, afër Smolensk është rikthyer në kujtesë si një vendngjarje e freskët pas vdekjes së presidentit Kascynski.

Vdekja misterioze e presidentit polak është përjetuar me dilema të mëdha në Poloni si dhe në Rusi. Polakët vazhdojnë ta ruajnë qetësinë. Përveç disa pyetjeve enigmatike shtypi i vendit nuk ka shkuar më tej se kaq. Analistët dhe ekspertët përpiqen të bëjnë ballafaqime faktesh dhe argumentesh pro dhe kundër për shkaqet e rrëzimit të avionit. Dikush ka aluduar se në atë mergull në Smolskens ka mundur të ulet një avion tjetër rus, të cilit i është dhënë sinjali ndriçues në lartësinë 1600 metër. Ndërkohë piloti polak është "urdhëruar" 50 km larg pistës që të ndërronte drejtimin e fluturimit. Të tjerë ekspertë theksojnë faktin se "prozhektorët nuk janë ndezur" dhe se në vend të udhëzimeve për ulje të garantuar janë dhënë reagime kundërshtuese dhe "këshilla" detyruese për të ndërruar pistën e fluturimit në drejtim të Moskës ose Minsk-ut. Në të shumtën e rasteve hamendësohet se Kascynski e ka urdhëruar pilotin të ulet me çdo kusht në Smolenks.

Megjithatë politika është përmbajtur, duke mos hedhur aludime për ta lidhur ngjarjen me dorën kriminale të shërbimeve të fshehta antipolake. Nuk dihet nëse qetësia polake lidhet me maturinë që tregohet në këto raste tragjike të ceremonive mortore. Mundet që situata të ndizet në Poloni dhe lufta midis "moderatorëve" e "radikalëve" të përshkallëzohet. Debati nuk do të marrë fund shpejt dhe Polonia është e detyruar të punojë për të ndriçuar të vërtetën e hidhur.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat