Kthimi mbrapa në histori

Opinione

Kthimi mbrapa në histori

Nga: Shkruan: Idriz Morina Më: 12 shtator 2010 Në ora: 18:44

Një arritje e jashtëzakonshme, vendimi i GJND-së, më 22 korrik 2010, i vlerësuar si rikonfirmim i pavarësisë, rrezikohet të hidhet në ujë, me pranimin e Projektrezolutës së re të Serbisë dhe të 27 vendeve të Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës pa u hamendësuar, pavarësisht presionit të opinionit politik në Kosovë, që të mos pranojë asnjë projektrezolutë serbe, ka deklaruar të mërkurën në mbrëmje, se e mirëpret Projektrezolutën.

Por, Qeveria në vazhdimësi ka deklaruar se nuk mbështet asnjëlloj projektrezolute serbe dhe po ashtu se nuk do të ketë bisedime substanciale me Serbinë, ndërkohë që Projektrezoluta i hap dyert për bisedime, të cilat Evropa e gjendur edhe kësaj radhe në krah të Serbisë, sikurse tradicionalisht në 150 vitet e fundit, mund t’i shtyjë bisedimet, sipas pretendimeve serbe, për autonomi të kësaj pakice në Veri, për eksterritorialitet për objektet fetare dhe kulturore apo për aneksim të Veriut, ku Evropa vazhdon ta njohë administratën dhe strukturat e tjera të saj atje.

Mashtrimi

Çështja tjetër në të cilën rrëshqet qeveria në Deklaratën e saj, është se ajo fsheh qëllimisht, në dritë të diellit, të vërtetën e deklaruar edhe nga baronesha Eshton, se Projektrezoluta do të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, si dokument i 28 shteteve, 27 vendeve të BE-së dhe Serbisë.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, të mërkurën, duke e paraqitur Projektrezolutën me pompozitet dhe si sukses politik, të ‘arritjes së përbashkët euro-serbe’, tha se tash (Projektrezoluta) “është tekst i 28 vendeve, që do të thotë i 27 shteteve të BE-së dhe i Serbisë”.

Po ashtu, tashmë ministria e Jashtme e Serbisë e ka paraqitur Projektrezolutën në Asamblenë e Përgjithshme, dhe ajo do të debatohet të enjten në mbrëmje.

Ndërsa, në deklaratën e Qeverisë, të bërë të mërkurën më 8 shtator, të njëjtën ditë, thuhet : “ Qeveria e Republikës së Kosovës mirëpret draft-rezolutën e re të përgatitur nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe e mbështetur nga SHBA-të, e cila do të prezantohet për miratim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Këtu qeveria e Kosovës shkon edhe më përtej. Jo vetëm që nuk i referohet Projekrezolutës si dokument edhe i Serbisë, por këtë shtet në deklaratën e Eshtonit, e zëvendëson, me SHBA-të. Kjo fillimisht për të mos irrituar drejtpërdrejt apo evituar egërsimin e shqiptarëve ndaj Qeverisë, dhe njëkohësisht Deklarata e qeverisë, e bën edhe më haptas mashtrimin për shqiptarët nëpërmjet një reduksionizmi, thjesht gjuhësor. Por, që ky reduksionizëm ka implikuar pa të drejtë SHBA-të, e cila të paktën deri në orët e vona të pasdites, nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike, nëse është pro kësaj Projektrezolute euro-serbe. Mbështetjen e SHBA-ve për këtë projektrezolutë nuk kanë pasur të paktën rastin ta dëgjojnë shqiptarët, para publikimit të Deklaratës së Qeverisë së Kosovës, përveç nëse këtë ka mundur ta dëgjojnë hartuesit e Deklaratës.

Rezoluta antishqiptare

Projektrezoluta është thurur me aq subtilitet gjuhësor, sa askush të mos mund të thotë, se ja kjo fjali, apo ky paragraf, hedh poshtë të arriturat e popullit shqiptarë të Kosovës, pavarësinë e vendit, pasi ajo ‘respekton’ mendimin e GJND-së, (pika d) dhe se është në “dijeni” (pika e). Por, ajo askund nuk afirmon përmbajtjen, unë them të vendimit të GJND-së, se Kosova është shtet sovran, pasi trupi gjykues nuk gjeti prova se institucionet e Kosovës kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare për shpalljen e pavarësisë, dhe se nuk shkeli as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe as dokumentin kushtetues të kohës, Kornizën Kushtetuese.

Në dy pikat, d) dhe e), përmbajtjesore të Rezolutës, të cilave dikush mund t’iu referohet si pozitive për fatin e Kosovës, siç pretendon në këtë rast Qeveria e Kosovës, thuhet:

d) Duke pranuar me respekt mendimin këshillëdhënës të GJND-së më 22 korrik 2010 nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe pas shqyrtimit të kujdesshëm të së njëjtës, duke përfshirë edhe çështjen, për të cilën është dhënë mendimi;

e) Ka në dijeni përmbajtjen e mendimit këshillëdhënës të GJND-së për atë nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Kosovën, duke përfshirë edhe kërkesën e Kuvendit të Përgjithshëm;

Pra, mund të konkludohet pa fije dyshimi, se ato nuk përmbajnë: asnjë referencë gjuhësore për shtetin e Kosovës, dhe asnjë referencë juridike në mënyrë eksplicite.

Po ashtu, këto dy pika nuk përmbajnë asnjë referencë për tërësinë apo paprekshmërinë territoriale të Republikës, të rikonfirmuar në dhjetëra dokumente dhe deklarata, përfshirë këtu edhe 22 nga 27 vendet e BE-së, të cilat e kanë njohur pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën.

Përjashtimi i SHBA-ve nga çështja e Kosovës

Ato që i mungojnë tekstit të Projektrezolutës në dy pikat paraprake, i plotëson kërkesa e paraqitur në pikën f) si të fundit në dokument, e cila në fakt është e vetmja, pikë që parashtron detyrime për institucionet e Kosovës. Kërkesa kryesore është që Kosova të hyjë në bisedime me Serbinë dhe që ato të ndërmjetësohen nga BE-ja. Me këtë përcaktim SHBA-të përjashtohen nga bisedimet, shteti i vetëm që konsiderohet i besueshëm për shqiptarët. “f) Përshëndet gatishmërinë e Bashkimit Evropian që ta lehtësojë procesin e dialogut ndërmjet palëve...”, thuhet në pjesën e parë të kësaj pike të Projektrezolutës.

Përjashtimi i rolit të drejtpërdrejtë të SHBA-ve, nga bisedimet e ardhshme, në esencë minon procesin, pasi shqiptarët, pavarësisht se çfarë mund të vendosin institucionet e Kosovës, do ta shohin me mosbesim dhe procesi nuk do të ketë legjitimitet.

Ndërsa, vetë kjo kërkesë e rezolutës është në kundërshtim edhe me politikën e jashtme amerikane të rikonfirmuar, po të enjten, nga sekretarja e shtetit, Hillari Klinton, se SHBA-të do të jenë dominues në politikën ndërkombëtare.

“Zonja Klinton deklaroi se udhëheqja globale e Shteteve të Bashkuara mbetet esenciale dhe se Shtetet e Bashkuara “mundet, duhet dhe do të” udhëheqin në shekullin e ri, edhe në qoftë se do ta bëjnë këtë në forma të reja”.

Loja gjuhësore

Sikurse i gjithë teksti i Projektrezolutës edhe, teksti i Deklaratës së Qeverisë së Kosovës, me përjashtim të atij gabimi kardinal, të evidentuar më lartë, ku fsheh të vërtetën për autorësinë e dokumentit, shquhen për subtilitetin gjuhësor, me të cilin synohet evitimi i irritimit, thënë kushtimisht të palëve. Por, në fakt, Serbia nuk ka nga se të jetë e kërcënuar, sepse pretendimet e saj, janë jashtë kohës dhe historisë, dhe vazhdim i politikave fashizoide, të ndihmuara nga Evropa, nëpërmjet të cilave, ka vrarë, zhdukur, shpopulluar, miliona shqiptarë, ka gllabëruar dhjetëramijëra kilometra katrorë, territore shqiptare, dhe edhe pas ’99-ës, synon ende territore shqiptare.

Kështu, Evropa ia bën edhe një shërbim, duke detyruar shqiptarët për bisedime, pa përcaktuar, në saje të lojës gjuhësore, qëllimin e tyre: “... Procesi i dialogut vetvetiu do të ishte faktor paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon. Ky dialog do të kishte për qëllim avancimin e bashkëpunimit, të realizojë avancim në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe të përmirësojë jetën e njerëzve”. “Përmirësimi i jetës së njerëzve”, është një konstrukt gjuhësor, që nuk kufizon asnjë çështje, pra as bisedimet për Veriun, as për eksterritorialitetin dhe nuk e eviton as vënien në pikëpyetje ndarjen apo këmbimin e territoreve. Konotimet e saj janë të pambarimta, edhe më shumë se sa që mund të shprehin kërkesa serbët për dialog apo që janë evidentuar tashmë.

Çjerrja e diplomacisë

Nuk janë vetëm indikative deklaratat e diplomacisë evropiane, pasi ato shkojnë përtej, urimit të Kushnerit, për kryeministrin Thaçi, që rithekson se me Projekterezolutën po i plotësohet dëshira Francës, për rikthimin e palëve në dialog, pa saktësuar sfidat e këtij procesi. Por, këtë subtilitet gjuhësor dhe mungesë të plotësisë, apo të denotimit të shprehjeve të përdorura në Projektrezolutë, e qartëson diplomacia spanjolle. Në njoftimin e Qeverisë së Spanjës, që natyrisht e përshëndet Projektrezolutën, por duke e interpretuar si kërkesë për dialog Kosovë – Serbi, për zgjidhje të pranueshme reciproke. Projektrezoluta “fton për dialog ndërmjet Beogradit e Prishtinës, në harmoni me qëndrimin tonë kryesor se zgjidhja e pranueshme në mënyrë reciproke, mund të gjendet nëpërmjet negociatave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Spanjës, e cila është në mesin e pesë vendeve anëtare të BE-së, që nuk e ka njohur Kosovën.

Përforcimi i interpretimit të diplomacisë spanjolle të tekstit të Projektrezolutës, veçmas duke theksuar: “ në harmoni me qëndrimin tonë kryesor...”, ku me shprehje konotative, tregon se rezoluta i dha të drejtë, qëndrimit të deritashëm të Spanjës, për mosnjohjen e Kosovës. Dhe më tej, qartëson, se bisedimet, pra hapin edhe çështjen e ekzistencës së shtetit të Kosovës. /Prishtinë, 9 shtator

Përmbajtja komplete e Rezolutës është si vijon:

a) Të vetëdijshëm për qëllimet dhe parimet e Kombeve të Bashkuara;

b) Duke pasur parasysh funksionet dhe autorizimet mbi bazën e Kartës së Kombeve të Bashkuara;

c) Duke rikujtuar rezolutën 63/3 nga 8 tetori i vitit 2008, me të cilën kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që të japë mendimin këshillëdhënës lidhur me pyetjen: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga ana e institucioneve të përkohshme të vetadministrimit në Kosovë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare”?;

d) Duke pranuar me respekt mendimin këshillëdhënës të GJND-së më 22 korrik 2010 nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe pas shqyrtimit të kujdesshëm të së njëjtës, duke përfshirë edhe çështjen, për të cilën është dhënë mendimi;

e) Ka në dijeni përmbajtjen e mendimit këshillëdhënës të GJND-së për atë nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë është në harmoni me të drejtën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për Kosovën, duke përfshirë edhe kërkesën e Kuvendit të Përgjithshëm;

f) Përshëndet gatishmërinë e Bashkimit Evropian që ta lehtësojë procesin e dialogut ndërmjet palëve. Procesi i dialogut vetvetiu do të ishte faktor paqe, sigurie dhe stabiliteti në rajon. Ky dialog do të kishte për qëllim avancimin e bashkëpunimit, të realizojë avancim në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe të përmirësojë jetën e njerëzve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat