Raporti i Dick Martyt dhe diskursi i trajtimit të tij - Bota Sot
Raporti i Dick Martyt dhe diskursi i trajtimit të tij

Opinione

Raporti i Dick Martyt dhe diskursi i trajtimit të tij

Nga: Pajazit Nushi Më: 11 janar 2011 Në ora: 22:33

Po bëhen më shumë se tri javë që debatet për raportin e Dick Martit nuk zbresin nga maja e preokupimeve të shumë qytetarëve të Kosovës, madje jo vetëm e tyre. Në këto debate e shkrime dallohet edhe gjuha retorike ndjenjore e disa pjesëmarrësve dhe nuk munguan as diskutimet patetike për raportin e senatorit të Zvicrës, z. Dick Marty. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë që me kohë ka shprehë mosbesim në mundësinë e transplantimit të organeve dhe të trafikimit të tyre si edhe në rolin e së ashtuquajturës “Shtëpia e Verdhë” duke kërkuar njëkohësisht hetim të pavarur për këtë çështje. Por, në vend të rezultateve që do të dilnin nga një hulumtim, ka pasuar raporti i senatorit të Zvicrës, ndryshe hulumtuesit për të drejtat e njeriut z. Dick Marty që shkaktoi aktivizim mendimesh të ndryshme të shprehura me gjuhën jo gjithmonë të pangarkuar me ndjenja eksplozive.

A mund ta zëvendësohet gjuha e këtillë me gjuhën e koncepteve, të gjykimeve vlerash të argumentuara të shprehura në gjuhën zyrtare të Këshillit të Evropës dhe me formë artikuluese të qetë dhe të bindshme? Të vërtetohet një qëndrim juridik, politik, moral, etj. do të thotë të argumentohet e vërteta objektive e padiskutueshme. Në rastin e diskutimit për raportin e lartpërmendur duhet të kemi parasysh vlerën e gjykimeve të drejtpërdrejta vëzhguese individuale dhe jo gjykime të argumentuara me herët të karakterit të përgjithshëm si bie fjala: “transplanti i organeve kërkon ambient, mjete medicinale – higjienike dhe kuadro profesionale të nivelit të lartë”, “kuadro dhe mjete profesionale të nivelit të lartë nuk kemi pas për shërim të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, civilëve të plagosur, “etika e jonë nuk lejon akte të këtilla”, etj.

Me rastin e kërkimit të kuptimit të plotë të përmbajtjes së raportit të D. Martit duhet t’i kemi parasysh disa faktorë ndër të cilët do t`i përmendim vetëm disa: Pikënisja e referatit fillon me argumentim të qëndrimeve konstatuese të Karla del Pontes, nga të cilët do të përmend dy qëndrime kryesore: 1. “Frakcionet shqiptare i kanë ndarë një numër të madh serbësh në qytet (në Pejë), por nuk janë zbuluar burgjet, ku UÇK i ka mbajtur serbët e zënë”; 2. “Pjesëtarët e UÇK u sollën si turmë e përgatitur për linç, për kidnapime, për vrasje të serbëve dhe të pjesëtarëve grupeve të tjera etnike…”. KMDLNj ka konsideruar se këto janë gjykime shumë të rënda , prejudikuese të shkruara nga ana e ish prokurores së Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, që për mision të tij ka angazhimin juridik për zhdukjen e farës së konflikteve dhe të luftërave kurse kjo, së bashku me z. Dick Marty në këtë mënyrë prodhojnë plazmë të mundshme konfliktesh.

KMDLNj, duke konsideruar këtë çështje shumë serioze i ka kushtuar kujdes të posaçëm bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të Prokurorisë së Serbisë për Krime Lufte dhe asaj të Shqipërisë si edhe vizitës së Dick Martyt Prishtinës dhe Tiranës, por nuk ka arritur të sigurojë informacione të sigurta për bisedimet e zhvilluara. Për këto shkaqe mendojmë se D. Marty duhet t’i konkretizojë saktësisht e t’i thotë me mendime të shkoqitura juridike: kohën, vendin dhe individët e keqtrajtuar në mënyrë kaq brutale, siç thuhet në qëndrimet e lartpërmendura. Ndryshe ky raport mund të konsiderohet si spekulativ, në mungesë të fakteve. Vetëm emërtimi “i urdhërdhënësve” për këto krime është i pamjaftueshëm. Me rastin e kërkimit të mendimeve shkoqitëse të argumentuara për gjykimet e lartpërmendura duhet të kemi parasysh edhe autoritetin profesional të trupit vlerësues të Komisionit ligjor për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës, i cili unanimisht e ka përkrahur raportin e D. Martit.

Duke u nisur nga këto qëndrime duhet konstatuar se disa paraqitje, deklarata dhe lëvizje qëndrimesh dhe sjelljesh individësh në Kosovë dhe jashtë saj kanë nxitë mendje për të prodhuar mendime të ndryshme për të kaluarën tonë të kohës më të afërt dhe mund të ndërlidhen me qëndrime të tipit të Dick Martyt. Kur i kthehemi vetes dhe analizës së përvojës sonë mund të konstatojmë se: ne ende nuk kemi arritur ta miratojmë projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve të krimeve të luftës pavarësisht se këtë nuk e ka bërë as Parlamenti i Serbisë; ngritja e aktakuzës për grupin e profesionistëve mjekësor të klinikës “Medicus” që lidhet pa të drejtë për transplantim organesh dhe për tregti të tyre, sepse ndryshimet e raporteve kohore, hapësinore e subjektore janë krejtësisht tjera nga ato që i referohet raporti i D. Martyt qysh para dhjetë vitesh. Paraqitja mediale e N. Bllacës me pohimet e demantuara dhe rigjykimi i R. Haradinajt për pjesë të akuzës së ngritur më herët si edhe pohimi i z. Hashim Thaçi, sipas të cilit “Në Kosovë ka pasur krime, këto nuk i ka bërë UÇK, por individët që i kanë veshur uniformat e UÇK”, etj. këto situata u shfrytëzuan si premise për raportin në fjalë. Madje, edhe disa personalitete ndërkombëtare si Bernar Kushner, bie fjala, në pyetjen e bërë nga një gazetar në Graçanicë para pak kohësh çfarë mund të thotë për “Shtëpinë e Verdhë” e ka drejtuar gazetarin në kontrollë mentalo - psikiatrike, sepse ka qenë i bindur në pamundësinë e transplantimit të organeve nëpërmes shtëpisë së verdhë dhe të tregtimit të tyre. Ndërkaq, i njëjti person tash shfaqë vetëm dyshim në transplantimin e organeve në shtëpinë e verdhë dhe kërkon prova dëshmuese.

Por, të gjitha këto çështje kanë karakter të indikacioneve indirekte për pohimet e raportuesit të Këshillit të Evropës. Lidhur me këto, madje, mund të paraqiten dëshmi të konstruktuara që duhet kontrolluar mirë bazën argumentuese të tyre. Nuk jemi të sigurt në të vërteta të dëshmive të përpiluara nga kushdoqoftë në fund të vitit 2010, qofshin ato të lëshuara edhe nga ish Prokurorja e Tribunalit të Hagës, aktualisht ambasadore e Zvicrës së Argjentinë, me imunitet politik, por jo edhe etik. Por, edhe incizimet eventuale të paraqitura pas 10 vjetësh të përfundimit të luftës në Kosovë duhet të kontrollohen dhe të verifikohen sepse këto do të shfrytëzoheshin gjithsesi me kohë nga ana e Prokurores së Tribunalit të Hagës për krime në ish Jugosllavi. Këto kërkesa të natyrshme i bëjmë sepse ndiejmë obligim të brendshëm individual e kolektiv të aktivizuar nga fytyra etike e shqiptarëve, që tradicionalisht ka qenë më e fuqishme se akuzat penale kundër tyre.

Karakteri emancipues humanist i bisedimeve Beograd – Prishtinë dhe raporti i Dick Martyt

Kur është fjala për shkrimet e zonjës Karla del Ponte, e cila e konsideron veten “më shumë gjuetare e gjarpinjve se juriste profesionale”, ish Prokurorja ka shkruar gjerësisht për dy koncepte të përpunuara gjerë e gjatë duke ia atribuar këto dy koncepte edhe Kosovës. Këto janë: kultura e mosdënimit dhe muri i gomës (muri i heshtjes). Pas më shumë se dy vitesh të publikimit të librit të dytë nga ana e saj dhe e Çak Sudetiq shtrohet pyetja: a jemi sjellë në Kosovë duke e mbështjellë Kosovën tonë me mur gome, që “nuk duket i këtillë, por i reflekton dhe i refuzon të gjitha” (mendimet akuzuese, sjelljet e papranueshme, dënuese, etj). Lidhur ngushtë me këtë qëndron edhe koncepti i kulturës së mosdënimit, sipas të cilit urdhërdhënësit e krimeve kanë kryer mision kulturor dhe në aspektin ligjor janë të paprekshëm!. Zonja Prokurore e ka konsideruar luftën kundër kulturës së mosdënimit mision të saj. Tash D. Marty këtë mision e ka zbërthyer duke emërtuar individë, të cilët i ka karakterizuar “kultura e mosdënimit” sepse ata qëndrojnë mbi ligjin!.

D. Marty duke hulumtuar kulturën e mosdënimit ka marrë vetëm një drejtim të mendimit juridik të tij – bartësit e kësaj kulture ndaj krimeve të bëra nga shqiptarët. Drejtimi kryesor ka ngel i paprekur dhe ky është: ai i mendimit dhe i veprimeve të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë ndaj foshnjave e nënave të tyre, ndaj grave shtatzëna, civilëve të paarmatosur, pleqve, të sëmurëve, fetarëve, mjekëve, aktivistëve humanitarë, mbrojtësve të drejtave të njeriut të kombësisë shqiptare. Këta të fundit përbëjnë shumicën e të vrarëve dhe të masakruarve. Vetëm nga kategoria e të zhdukurve shqiptarë organet dhe institucionet, si edhe individët kanë informacione ku mund të gjenden mbetjet mortore të tyre, por këta thua se nuk kanë të bëjnë me kulturë të mosdënimit dhe as me mur të gomës.

Ndaj synimeve optimiste të Komisionit të Evropës, sidomos ato të kryediplomates së kësaj organizate të nderuar - të baroneshës Ështon, për objektivin e eliminimit të mbetjeve negative të së kaluarës së raporteve serbo – shqiptare shfaqim një fije rezerve, sepse vështirë është të presim kaq shumë nga bisedimet ndërmjet Beogradit e Prishtinës, kur kemi raportin e D. Martit dhe klimën morale e juridike të pafavorshme për përgatitje dhe fillim të këtyre bisedimeve sa të nevojshme, aq edhe të dëshirueshme për sinqeritetin e tyre. Në kuadrin e këtyre raporteve të krijuara kohët e fundit vështirë mund të zhvillohet një besim në frytin e këtyre bisedimeve nga ngarkesa e të gjithë të interesuarve për raportin e D. Martit.

Përpos kësaj, duhet thënë se objektivit fisnik të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po i bëhet shërbim i keq kur shpallet besim i madh në përfundim të suksesshëm të këtyre bisedimeve, përpara se këto të kenë filluar. Më në fund konsiderojmë se detyra e jonë në relacion me personalitetin e D. Martyt nuk është të ndërtojmë apo paraqesim fytyrën etike e profesionale të tij, por përpjekje për të kërkuar kuptimin e plotë të pohimeve të tija në raportin e parashtruar dhe të miratuar nga një trup profesionistësh të Këshillit të Evropës. Këtë e bëjmë jo pse në këtë mënyrë i sjellim ndonjë dobi vetes, por pse ne edhe hulumtuesit e tjerë të sinqertë kemi në vete një vlerë të përgjithshme e cila ka fuqi motivuese të rëndësishme për mendimet dhe sjelljet tona njerëzore. Në emër të një vlere të këtillë kërkojmë gjurmim efikas të gjitha fakteve dhe vlerësim të saktë të raportit të D. Martyt. Me një fjalë, kërkojmë fakte dhe jo fjalë! Drejtësi për viktimat dhe dënime për kriminelët! Pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare etj.

(Autori është kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...