Rishikohen shumica e 40 marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri - Bota Sot
Rishikohen shumica e 40 marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri

Kosova

Rishikohen shumica e 40 marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri

Nga: Blendi Gashi Më: 3 prill 2009 Në ora: 19:19

Prishtinë - Kosova do t’i rishikojë shumicën e rreth 40 marrëveshjeve bilaterale, të nënshkruara me Shqipërinë gjatë kohës së administrimit të shtetit tonë nga UNMIK-u. Disa nga marrëveshjet do të rishikohen, jo vetëm për arsye teknike apo praktike, për të qenë nënshkruese Kosova si vend i pavarur, por edhe për të përmirësuar kushtet e bashkëpunimit, pasi për disa prej tyre kanë ndryshuar rrethanat.

Kosova dhe Shqipëria do të bëjnë hapat e parë për krijimin e një minishengeni në Ballkan, pasi me marrëveshjen që do të nënshkruhet pas disa ditësh ndërmjet qeverisë së Shqipërisë, nga kryeministri Sali Berisha dhe qeverisë së Kosovës nga Hashim Thaçi, kur do të hiqen nga përdorimi pasaportat për kalimin e kufirit ndërmjet dy vendeve shqiptare, duke bërë realitet një nga ëndrrat shqiptare.

Idenë për krijimin e një minishengen evropian në Ballkan, e ka dhënë dhe mbështetur Presidenti Fatmir Sejdiu gjatë disa takimeve dy palëshe me zyrtarë të Shqipërisë.

Deri më tash, përdorimi i pasaportave ka qenë i hequr prej vitesh nga qeveria e Shqipërisë për qytetarët e Kosovës, gjatë sezonës turistike, por, për shqiptarët e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë lehtësi.

Marrëveshjet e bashkëpunimit janë të domosdoshme për të gjitha shtetet dhe ato ndikojnë pozitivisht për zhvillimet ndërmjet tyre. Marrëveshja që së shpejti do të nënshkruhet në mes dy shteteve tona fqinje, Kosovës dhe Shqipërisë është interes i përgjithshëm i të dyja shteteve dhe forcon ngritjen e zhvillimit të tyre në fusha të ndryshme. Siç bëhet e ditur nga përfaqësues të ambasadës së Shqipërisë bashkëpunimi do të jetë në të gjitha fushat relevante që janë në të mirë të dy vendeve.

Zv. ambasadori i Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë Xhevat Mustafa thotë për “Bota sot” se ekzistojnë rreth dyzetë marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë që mbulojnë të gjitha fushat e shkëmbimeve mes dy vendeve të një kombi. Sipas tij disa nga to duhet rishikuar, për tu bërë edhe më të efektshme, dhe të vlefshme për intensifikimin e marrëdhënieve. “Aktualizimi i marrëveshjeve ekzistuese përbën boshtin e gjithë takimeve që ka pasur në këtë periudhë ambasadori Lauka me titullar të ministrive, dhe zyrtar të lartë të institucioneve, sepse kjo është kërkesë e gjithë shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri”. Mustafa thotë se së shpejti presin që të shkruhet marrëveshje për qarkullimin e lirë ku qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë më për pasaporta, por mund të hyjnë në Shqipëri vetëm me një dokument identifikimi, si dhe marrëveshja për ri pranimin që kap problemet në fushën e rendit dhe sigurisë. “Do të ketë rindërtim të marrëveshjeve në fushën e bujqësisë, ku së shpejti në Kosovë do të vijë ministri i bujqësisë z. Gjana, dhe do të nënshkruhet një marrëveshje e re mes dy ministrive të bujqësisë si dhe rishikim i marrëveshjes së majit 2005 në mes ministrive të arsimit, të cilat duhet rishikuar sipas kërkesave të reja që ka arsimi si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri”. Rishikim do të ketë edhe në fushën e doganave për të përgatitur një marrëveshje të re më bashkëkohore, më lehtësuese për shkëmbimet mes dy shteteve si për biznesin dhe fushat tjera që kalojnë në portat e doganave, të gjitha këto do të rishikohen gjatë vizitës së Berishës, dhe kam bindjen që këto do të jenë pika kyçe të takimit. Ne kishim një takim me ministrin e Kulturës, Valton Beqirin, me ç’rast ambasadori Lauka dhe Beqiri u shprehën të një mendje për rishikimin e marrëveshjes ekzistuese e cila është vjetruar, dhe duhet bërë një marrëveshje e re që t’i jap një hov shumë më sasior dhe cilësor raporteve tona në të gjitha fushat që shprehet koncepti kulturë. “Tema kryesore do të jetë intensifikimi i marrëdhënieve shumë planesh, dhe të gjithë far llojshme në mes Kosovës dhe Shqipërisë”. Duhet cekur edhe kontaktet e vazhdueshme të ministrive homologe të ekonomisë, ku para një muaji tre ministrat e Qeverisë së Kosovës ishin në Tiranë ku shkas ishte Porti i Shëngjinit, pra është diskutuar edhe fusha e ekonomisë për të përjetuar sa më lehtë këtë krizë globale financiare ekonomike për krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, thotë zv. ambasadori Mustafa. Ndërkaq zyrtarja në Ministrinë e Jashtme, Albana Beqiri thotë se e vetmja përgjigje nga MPJ-ja është se detajet e marrëveshjes do të bëhen publike në momentin kur edhe marrëveshja do të nënshkruhet. “E vetmja gjë që mund të pohojmë për këtë çështje është se marrëveshjes është duke iu dhënë dora e fundit dhe shumë shpejt do të jetë gat”, thotë Beqiri. Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane dhe deputeti, Naser Rugova (LDD) lidhur me marrëveshjet që priten të nënshkruhen së shpejti në mes të dyja shteteve fqinje shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë thotë, se ky bashkëpunim është në interes të çmimit rajonal e sidomos mes shteteve që kanë lidhje edhe nacionale, kulturore, dhe gjeografike. “Marrëveshjet në mes së Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës janë më se të nevojshme, të natyrshme madje edhe të domosdoshme në të gjitha aspektet”. Andaj të gjitha këto marrëveshje i shërbejnë edhe bashkëpunimit të mirë edhe fqinjësisë së mirë edhe integrimit brenda kombëtar, por edhe një bashkëpunimi të mirë rajonal që iu shërben politikave të stabilitetit në rajon dhe konceptit të integrimeve evropiane që është objektiv nacional i të dyja shteteve pse jo edhe shqiptarëve në këtë kuptim. “Aorta nacionale që do ta lidh Kosovën me Shqipërinë, autostrada Merdare-Morinë-Durrës është hapje e kanaleve të komunikimit me të gjitha shtetet edhe në aspektin ekonomik dhe infrastrukturor, por që lidh korridoret evropiane, dhe Kosovës i jep një perspektivë shumë të mirë qasje në ujërat e nxehta në Portin e Shëngjinit, por edhe marrëveshjet e tjera bilaterale të rëndësishme qoftë për integrime rajonale, evropiane apo ndërkombëtare, po ashtu edhe për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve tona”. Më tej Rugova është shprehur se marrëveshjet bilaterale në mes të këtyre dy shteteve vetëm do t’i ndihmojnë bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit ekonomik të dyja vendeve, por edhe marrëveshjeve të tjera që dalin nga obligimet e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kështu fuqizohet marrëveshja e CEFTA-s që nënshkrues janë të dyja shtetet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...