Kuçi:Protokolli lojë dhe presion - Bota Sot
Kuçi:Protokolli lojë dhe presion

Kosova

Kuçi:Protokolli lojë dhe presion

Nga: Shqipe Osmani Më: 7 shtator 2009 Në ora: 15:00

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, edhe një herë konfirmoi deklarimet e qeverisë se qëndrimi i institucioneve të Kosovës, është i palëkundur për nënshkrimin e protokollit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë, duke bërë të qartë se çfarëdo marrëveshje e atillë pa aprovimin e institucioneve të Kosovës do të jetë e pa zbatueshme.

Zëvendëskryeministri Kuçi ishte thirrur nga Komisioni për Politikë të Jashtme, që të raportoj për çështjen e protokollit dhe marrëdhëniet e institucioneve të Kosovës me EULEX-in. Në këtë takim përfaqësuesit e opozitës kanë fajësuar qeverinë për vonesat në reagimin kundrejt marrëveshjeve të tilla siç është protokolli. Komisioni ka mbështetur qëndrimet e institucioneve, por ka rekomanduar që veprimet e mëtutjeshme të jenë të koordinuara në të gjitha nivelet institucionale të vendit.

Sipas zëvendëskryeministrit Kuqi, protokolli kontestohet në aspektin e procedurës (është hartuar në bashkëpunim me Beogradin pa u pyetur institucionet e Kosovës), të përmbajtjes (preket sovraniteti i vendit) dhe të palëve që përfshihen në të. “Ai ka pohuar se për përmbajtjen e protokollit është njoftuar vetëm më 27 korrik, pasi që i kishte drejtuar një letër të hapur shefit të EULEX-it, Iv dë Kermabo, kurse ka pranuar se ka presion nga segmente të ndryshme ndërkombëtare që Kosova ta mbështesë këtë dokument. Qeveria e Kosovës, ka thënë ai, nuk ka pse t’i nënshtrohet dokumentit, i cili është kundër interesit të vendit dhe në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet në një komunikatë për shtyp të Kuvendit të Kosovës.

Veprime në interes të vendit dhe respektim të Kushtetutës

Kuqi para gazetarëve bërit të ditur se institucionet nuk lëkunden nga deklarimet e tyre. “Qëndrimi ynë është i qartë edhe për procesin e këtij protokolli edhe për përmbajtjen e tij dhe natyrën juridike të të nënshkruarit. Do të jemi transparent edhe me opinionin, gjithmonë duke mbrojtur interesat e vendit të parapara me ligjet dhe Kushtetutën”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Ai i cilësoi si shumë të mira raportet me EULEX-in në ndërtimin e rendit dhe ligjit, ndërsa theksoi se institucionet kanë nevojë për një planifikim adekuat të agjendës së veprimeve, në veçanti për shtrirjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Kosovës.

I pyetur nëse institucionet e vendit do të pajtohen për nënshkrimin e protokollit, nëse edhe ata vetë janë nënshkrues të atij protokolli, Kuçi theksoi se çështja nuk lidhet me një veprim apo dy, por ka të bëjë me strukturimin e tërë këtij procesi dhe me përmbajtjen e vetë protokollit. Duke komentuar deklaratën e presidencës suedeze të BE-së e cila thotë se protokolli do të nënshkruhet brenda pak ditëve, zëvendëskryeministri Kuçi tha se loja përmes mediave dhe opinionit publik është formë e presionit që mund t’i bëhet dikujt. “E di se do të marrim kritika nëse nënshkruhet, por edhe nëse nuk nënshkruhet ka dikush që do të kritikoj për shkak të dëmtimit të agjendës evropiane. Ne do ta bëjmë veprimin më të mirë për interesat e vendit, që nënkupton mbrojtjen e interesit të vendit në çdo momente, mbrojtjen e Kushtetutës dhe ligjeve dhe natyrisht procesin e integrimeve në BE”, tha ai.

Sipas tij ashtu siç ka qenë protokolli, JO-ja e institucioneve nuk ka qenë as e hershme as e vonshme, por do të jetë gjithmonë e tillë. Kuçi kërkon që t’u jepet hapësirë institucioneve që të bëjnë zgjidhjen racionale për vendin, për të mos qenë pastaj peng i veprimeve, duke vlerësuar se institucionet nuk do të dëmtojnë raportet me BE-në, por as vetë interesin e vendit. Ai përsëriti qëndrimin se dokumenti që do të nënshkruhet pa aprovim të institucioneve të Kosovës do të jetë i pa implementueshëm.

Një ditë më parë një zyrtar për BE-në i Suedisë, e cila kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian, deklaroi se nënshkrimi i protokollit është i pashmangshëm dhe se ai do të bëhet së shpejti, bile ai e quajti një marrëveshje ndërmjet BE-së dhe Serbisë, që do të bëhet nga EULEX-i.

Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, paraqiti dy vija të rëndësishme të diskutimeve brenda komisionit, duke theksuar kështu se vija e parë ka të bëjë me filozofinë zhvillimore të Kosovës, që si shtet i pavarur të jetë në Evropë, të shkoj kah integrimet evropiane. “Kjo është filozofi e popullit të Kosovës, të cilën detyrimisht duhet ta çojnë përpara përfaqësuesit e tyre legjitim në institucionet e Kosovës. Së dyti kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të ndërroj interesat e veta nga dita në ditë, muaji në muaj, apo viti në vit, edhe në këtë rrugë të integrimit”, tha ai, duke kërkuar një koordinim dhe harmonizim të institucioneve në rrugën e integrimeve. Sa i përket çështjes së protokollit, ai tha se të gjitha institucionet duhet të koordinohen, dhe nëse kërkohet nga Kuvendi ta jap fjalën e fundit, atëherë edhe kjo do të bëhet. “Deri tash nuk shohim zmbrapsje nga qëndrimi i udhëheqësve të Kosovës dhe komisioni i mbështet ato qëndrime”, tha ai, duke i trimëruar udhëheqësit e shtetit që të mbrojnë interesin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, ka thënë ai, sipas komunikatës së zyrës për informim të Kuvendit, “nuk ka pse t’i nënshtrohet dokumentit, i cili është kundër interesit të vendit dhe në kundërshtim me Kushtetutën”.

Protokolli anashkalon institucionet

Ibrahim Gashi, anëtar i komisionit nga AKR-ja tha se përmbajtja e dokumentit tregon se janë anashkaluar institucionet e Kosovës, të cilat do të duhej që me dokumentet në fuqi, siç është Kushtetuta dhe dokumenti i Ahtisarit do të jenë veprime për të implementuar çdo aktivitet në Kosovë në funksion të rendit dhe të ligjit. Sipas tij, të gjitha veprimet do të duhet të jenë të bashkërenditura me institucionet e Kosovës, ndërkaq protokolli përjashton plotësisht institucionet e Kosovës, në këtë rast MPB-në. “Nëse dokumenti nënshkruhet duke anashkaluar institucionet e Kosovës, shtrohet pyetja se si do të zbatohet kur autoritet për zbatimin e tij është MPB-ja e Kosovës. Ky dokument mund të jetë i zbatueshëm vetëm në pjesën veriore të Kosovës”, shprehet ai, duke shtuar se ky dokument nuk e përmbush komponentën e saj që thirret në luftimin e krimit të organizuar. Reagimet e qeverisë ndaj këtij dokumenti ai i quan të vonuara. Ardian Gjini, anëtarë i komisionit nga radhët e AAK-së, kritikoi qeverinë, që sipas tij ka qenë në dijeni për bisedimet mes EULEX-it dhe Serbisë për bashkëpunim me shërbimin policor dhe të sigurisë, por se nuk ka qenë në dijeni se çfarëdo bisede përfundon me një marrëveshje ose me një protokoll. “Kjo dëshmon se qeveria është totalisht e pa aftë të anticipoj se çka rrjedh pas cilit do veprim. Ka qenë e informuar, por nuk ka marrë vesh se çka do të ndodh më tutje”, tha Gjini, duke shtuar se kjo qeveri nuk ka pushuar së befasuari të gjithë, e madje edhe bashkësinë ndërkombëtare.

Ramush Tahiri, analist thotë se Protokollin duhet ta nënshkruaj Kosova, sepse Kosova ka sovranitetin e vet vendimmarrës dhe vetëm Kosova bënë marrëveshje protokolli me vendet tjera. “Në këtë bazë qëndrimi presidentit dhe kryeministrit të Kosovës është plotësisht i drejtë”, shprehet ai, duke shtuar se EULEX-i karshi mandatit që ka mund të bëjë aranzhmane teknike për sundim të ligjit në veri, por jo protokolle në emër të Kosovës.

Sipas komunikatës, të gjithë anëtarët e tjerë të Komisionit janë pajtuar se Protokolli i bashkëpunimit EULEX – Serbi është i dëmshëm për interesin e vendit, “kurse përfaqësues të opozitës në këtë komision kanë theksuar se dokumenti derivon nga Plani gjashtëpikësh i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, andaj është dashur të kundërshtohej që në nismë të tij, në shkurt të këtij viti. “Shumica e anëtarëve të Komisionit janë pajtuar se teksti i dokumentit duhet amendamentuar konform realiteteve të reja pas shpalljes së pavarësisë së vendit, ndryshe do të ishte i pazbatueshëm në territorin e Republikës së Kosovës, kanë theksuar ata”, thuhet në njoftimin zyrtar të Kuvendit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...