Thaçi: Nuk pajtohemi rreth protokollit, EULEX-Serbi

Kosova

Thaçi: Nuk pajtohemi rreth protokollit, EULEX-Serbi

Nga: Bota sot Më: 11 shtator 2009 Në ora: 14:02

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka përsëritur qëndrimin kundërshtues të Kosovës për protokollin ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit, edhe pas dhënies së pëlqimit të vendeve të Kuintit për këtë marrëveshje, ndërkohë që ka përshëndetur deklaratën e Kuintit përmes së cilës i jepet mbështetje e fuqishme zhvillimeve pozitive që kanë bërë institucionet e Kosovës në perspektivën euroatlantike të vendit, për zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e pavarësisë dhe ruajtjen e integritetit territorial.

Kreu i Qeverisë, i bëri këto komente pas takimit me komandantin e ri të KFOR-it, Markus Bentler.

“Unë e mirëpres deklaratën e Kuintit që i jep mbështetje të fuqishme zhvillimeve pozitive që kanë bërë institucionet e Kosovës në perspektivën euroatlantike të vendit, edhe për zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen e plotë për të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës, për avancimin dhe fuqizimin e pavarësisë, sovranitetit, ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës dhe vënien e ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës. Ky është një bashkëpunim shumë i ngushtë i autoriteteve shtetërore kosovare me ato të vendeve të Kuintit, të cilat e kanë njohur dhe po e ndihmojnë shtetin e Kosovës’, ka thënë Thaçi.

Me këtë rast, ai ka përsëritur qëndrimin e vazhdueshëm se institucionet e Kosovës nuk janë palë e pretendimeve të aranzhmanit teknik të këtij protokolli.

Thaçi ka njoftuar se në fund të shtatorit Kosova do të pranojë nga Brukseli udhërrëfyesin pozitiv të perspektivës evropiane, për të cilin ka thënë se nuk është kompromis, por është rezultat i vendosmërisë për qeverisje të mirë, për transparencë, efikasitet, efektivitet qeverisës në nivel edhe qendror edhe lokal, për sundim të ligjit dhe për luftë të pakompromis ndaj dukurive negative.

“Dua të theksoj edhe njëherë fuqishëm se institucionet e Kosovës në asnjë rrethanë nuk janë palë e këtij pretendimi, të aranzhmanit teknik, por institucionet e Republikës së Kosovës, në këtë rast Qeveria e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë luftën në mënyrë të pakompromis ndaj fenomeneve negative, korrupsionit, krimit të organizuar dhe gjithë kjo luftë do të jetë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet evropiane dhe gjithë autoritetet ndërkombëtare prezente në Kosovë’, është shprehur kreu i ekzekutivit të vendit.

Ndërkaq, kryeministri Thaçi e ka konsideruar si keqkuptim dhe keqinterpretim deklaratën e djeshme të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se protokolli është në interes të Kosovës, nëse është për të siguruar dhe penguar krimin e organizuar nga Serbia në Kosovë dhe për të siguruar doganat në ndërprerjen e kriminalitetit dhe kontrabandës në pjesën veriore të vendit. “Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojmë ngushtë në vazhdimësi me autoritetet e KFOR-it, sepse edhe perspektiva dhe vizioni i shtetit të Kosovës, është që të jemi pjesë e NATO-s në të ardhmen e afërt. Tash po ndërtohet edhe Forca e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve, rekomandimeve dhe këshillave të NATO-s. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe unë personalisht do të jemi në bashkëpunim shumë të ngushtë me z.Bentler, në mënyrë që të ecim përpara bashkërisht, siç kemi ardhur deri tani” , theksoi kryeministri Thaçi.

Në këtë rast, Thaçi ka thënë se lidershipi në Kosovë funksionon në mënyrë unike.

“Ne jetojmë në demokraci dhe kjo është mirë që jetojmë në demokraci. Mendoj që paksa e keni keqkuptuar ose keqinterpretuar zotin Krasniqi. Ai gjithmonë ka investuar në fuqizimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, andaj Kosova vazhdon të funksionojë në mënyrë shumë unike, si institucione, si lidership shtetëror’, është shprehur Thaçi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat