Reagim i presidentit Sejdiu e kryeministrit Thaçi pas nënshkrimit të protokollit EULEX –Serbi - Bota Sot
Reagim i presidentit Sejdiu e kryeministrit Thaçi pas nënshkrimit të protokollit EULEX –Serbi

Kosova

Reagim i presidentit Sejdiu e kryeministrit Thaçi pas nënshkrimit të protokollit EULEX –Serbi

Më: 11 shtator 2009 Në ora: 21:42

Pas njoftimit se para disa çastesh është nënshkruar Protokolli EULEX – Ministri e Brendshme e Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi lëshojnë këtë deklaratë:

Republika e Kosovës nuk është palë në aranzhmanet teknike midis EULEX-it dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Serbisë për bashkëpunim në fushën e policisë.

Ftesa e Republikës së Kosovës për vendosjen e Misionit evropian për rend dhe ligj, EULEX në Kosovë, për të ndihmuar institucionet e Republikës së Kosovës në fushat e rendit dhe ligjit është akt sovran i udhëheqjes së Republikës së pavarur të Kosovës. Edhe me këtë rast ritheksojmë përkushtimin e palëkundur të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me praninë evropiane në Kosovë dhe me institucionet e Bashkimit Evropian në drejtim të konsolidimt të mëtejmë të shtetësisë dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës, e ne veçanti për të forcuar perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

Institucionet e Republikës së Kosovës ritheksojnë se kjo në asnjë mënyrë nuk do të zbehë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të luftuar krimin e organizuar dhe në këtë kuadër të gjitha format e krimit tejkufitar.

Theksojmë po ashtu se aranzhmane të tilla nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë ndikim në pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...