Kurti: Gjykoni drejt, mos shkoni në gjykim

Kosova

Kurti: Gjykoni drejt, mos shkoni në gjykim

Më: 12 prill 2010 Në ora: 19:04

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, nëpërmjet një letre ka kërkuar nga avokatët, gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës që të mos marrin pjesë në procesin gjyqësor kunër tij.

“Deri sot disa avokatë dhe gjykatës kanë refuzuar të bëhen pjesë e këtij procesi të montuar gjyqësor të EULEX-it, duke mos pranuar të jenë as avokat mbrojtës, as pjesë e Panelit gjykues të EULEX-it’, thuhet në letrën e Kurtit.

Ai u bënë thirrje të gjithë avokatëve të Kosovës që të mos e pranojnë as ftesën e as trysninë e EULEX-it që të bëhen avokatë mbrojtës për të.

“EULEX-i synon që nëpërmjet pjesëmarrjes së thjeshtë fizike të avokatit mbrojtës, ta sigurojë procedurën e nevojshme për dënimin tim”, ka thënë Kurti. Po ashtu, ai ka inkurajuar gjykatësit e Gjykatës së Qarkut, që të vazhdojnë t’i qëndrojnë trysnisë së EULEX-it dhe kryetarit të kësaj gjykate, Anton Nokaj, i cili me të gjitha mënyrat po synon ta gjejë zëvendësimin për gjykatësen Fllanza Kadiu, e cila me të drejtë u tërhoq nga Paneli i EULEX-it.

“Cilido avokat, gjyqtar apo prokuror që vjen në seancën e nesërme, është pjesë e prokurorisë persekutuese të EULEX-it. Çdo vendës që vjen në këtë proces gjyqësor do të përdoret nga EULEX-i për legjitimimin e persekutimit tim dhe vetë aktakuzën”, thuhet në letrën e Kurtit.

Ky proces, sipas tij ka për qëllim ta kriminalizojë demonstratën si mënyrë e veprimit politik demokratik, si dhe ta izolojë sa më shumë Lëvizjen ‘VETËVENDOSJE’ nga zhvillimet aktuale dhe të ardhshme politike.

“EULEX-i nuk po heq dorë nga persekutimi i padrejtë kundër Lëvizjes ‘VETËVENDOSJE’, edhe pse deri sot 175 mijë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, nëpërmjet peticionit të organizuar nga Këshilli kundër këtij procesi, kanë shprehur vullnetin e tyre për mbylljen e procesit gjyqësor të EULEX-it ndaj meje si dhe nisjen e hetimeve të pavarura për vrasjet e 10 shkurtit 2007’, thuhet ndër të tjera në letrën e Albin Kurtit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat