Shtyhet përsëri gjykimi ndaj Kurti, urdhër i ri për arrestimin e tij - Bota Sot
Shtyhet përsëri gjykimi ndaj Kurti, urdhër i ri për arrestimin e tij

Kosova

Shtyhet përsëri gjykimi ndaj Kurti, urdhër i ri për arrestimin e tij

Nga: Teuta Rexhepi Më: 16 prill 2010 Në ora: 16:57

Prishtinë, 16 prill

Mungesa e Albin Kurtit në sallën e gjykimit, të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, ku ishte paraparë të zhvillohej gjykimi ndaj tij, edhe njëherë e ka bërë që të shtyhet ky gjykim. Pasi që Policia e Kosovës, me gjithë urdhër arrestin nuk ka arritur ta arrestojë Albin Kurtin, trupi gjykues i kryesuar nga EULEX-i, është detyruar ta shtyjë gjykimin ndaj tij për datën 19 prill. Ndërkohë që gjyqtari kryesuesi i Panelit Fernando de Mongeot urdhëroi lëshimin e një fletë arresti të ri për Albin Kurtit, si dhe u lajmëroi që do të merren masat disiplinore kundër avokatëve që kanë refuzuar të marrin pjesë në ketë seancë gjyqësore. Ndërsa, zëdhënësja e EULEX-it Kristina Herodes, pas kësaj seance tha se është detyrë e EULEX-it përkatësisht trupit gjykues që të ketë urdhër të ri për arrest dhe materiali për veprimet disiplinore ndaj avokatëve që e kanë refuzuar mbrojtjen e Kurtit, do të dërgohet në Odën e Avokateve. Ndërkaq, aktivisti i Lëvizjes “Vetëvendosje” Glauk Konjufca, e përshëndeti mos praninë në seancë të kryetarit të OAK, Musa Dragusha. Ai gjithashtu u bëri thirrje edhe avokatëve të tjerë që të ndjekin shembullin e Dragushës, pasi procesi sipas tij është i pandershëm, i pa drejtë dhe i anshëm. “Zoti Dragusha më herët ka thënë se nuk vjen në seancë dhe ata qëllimisht e kanë caktuar Musa Dragushën. Ky është EULEX-i i cili e cakton avokat pikërisht atë që ka refuzuar duke dashur që ta shkatërroj dinjitetin e tyre moral dhe integritetin e avokatëve të Kosovës”, tha Konjufca. Ai edhe njëherë i bëri thirrje prokurorit të çështjes Ali Rexhës, që të heq dorë nga aktakuza e EULEX-it. “Lëvizja “Vetëvendosje” dhe të gjithë ata qytetarë që e kanë nënshkruar peticionin i bëjmë thirrje Ali Rexhës që të mos qëndrojë prapa aktakuzës së EULEX-it. Po ashtu ne mendojmë që EULEX-i është koha ta kuptojë dhe të dorëzohet para këtij rasti sepse nuk ka arritur që t’i bind avokatët e Kosovës që të jenë pjesë e këtij procesi”, tha ai. Kurse kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, i caktuar sipas detyrës zyrtare për ta mbrojtur Kurtin, Musa Dragusha, tha se nuk mund të jetë avokat mbrojtës në asnjë rast penal pasi që detyra që e ka si kryetar i OAK, ia pamundëson të bënë mbrojtjen e dikujt. Prandaj caktimin e tij për ta mbrojtur Kurtin ai e ka quajtur më shumë një moskuptim të kryetarit të trupit gjykues në rastin Kurti, i cili sipas tij nuk e ka ndjenjën e kuptimit për funksionin e kryetarit të OAK-së. “Unë nuk kam refuzuar që të mos caktohem avokat mbrojtës, unë vetëm kam argumentuar që një avokat në funksion të kryetarit të OAK nuk është i disponueshëm për të vepruar ex officio në asnjë rast të veçantë penal e as në rastin “Kurti”, tha ai. Ai iu bëri apel drejtuesve të Lëvizjes “Vetëvendosje” që të ndalin aktet e presionit në gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët e përfshirë në rastin ndaj Albin Kurtit dhe njëkohësisht që të distancohen nga aktet e sulmit ndaj avokatit Avni Gjakova.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...