Pasojat e hirit vullkanik edhe në Kosovë

Kosova

Pasojat e hirit vullkanik edhe në Kosovë

Më: 17 prill 2010 Në ora: 19:30

Zyrtarë të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës bëjnë të ditur se gati të gjitha fluturimet e parapara për ditën e sotme janë anuluar, si pasojë e reve të hirit të vullkanit që shpërtheu në Islandë. Linja e vetme ajrore që është realizuar nëpërmjet Aeroportit të Prishtinës është ajo me Turqinë, ndërsa në orët e mëngjesit janë realizuar dy fluturime të tjera një për në Tiranë dhe një për në Kroaci.

Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, thotë se sipas të gjitha parashikimeve nuk do të ketë fluturime as gjatë orëve të ardhshme.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës anuloi rreth 40 fluturime të planifikuar për sot, pas mbylljes së aeroporteve të shteteve, në drejtim të të cilave ishin paraparë fluturimet Zvicër, Gjermani, Francë, Slloveni e ndonjë vend tjetër. Të vetmit udhëtarë fatlumë kanë qenë ata me destinacion Turqinë, me të cilin shtet nga Aeroporti i Prishtinës janë realizuar të gjitha fluturimet e parapara. Ndërsa në orët e mëngjesit janë realizuar edhe një fluturim për në Shqipëri dhe një për në Kroaci.

“Deri tani janë realizuar vetëm dy fluturime, njëri për në Tiranë dhe tjetri në drejtim të Zagrebit, mirëpo gjatë udhëtimit është dashur ta ndërrojë destinimin dhe ka ateruar në Split. Për momentin presim aterrimin e aeroplani nga Turqia, Turkish Airwys, mirëpo në përgjithësi kemi të anuluara zyrtarisht 36 fluturime deri tani mirëpo një pjesë ë fluturimeve që kanë mbetur të realiziohen në orët me të vonshme të mbrëmjes pritet ende që eventualisht të realizohen për atë shkak edhe nuk kemi ndonjë informatë zyrtare, mirëpo sipas të gjitha gjasave probabiliteti është shumë i larët që edhe ato të anulohen", tha Agron Mustafa, Drejtor i Aeroportit të Prishtinës.

Të informuar nga mediat për anulimin e fluturimeve nga aeroporti i Prishtinës kishte pak udhëtarë që kishin ardhur në aeroport për të vërtetuar nëse fluturimet e tyre do të realizohen.

Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa thotë se nuk kanë pasur ndonjë problem me pasagjerët në situatën e re të krijuar.

"Me pasagjer mendojë se është menaxhua situata jashtëzakonisht mirë, është edhe një apel që dua t'ua bëjë të gjitha atyre që i kanë blerë biletat te aviokompanitë që të drejtohen tek aviokompanitë sepse aty mund t'i marrin informatat më së shpejti, për shkak të informimit të tyre sot nuk kemi pasur ndonjë tollovi në aeroport", tha Agron Mustafa, Drejtor i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas Mustafës nuk pritet ndonjë përmirësim i gjendjes gjatë orëve të ardhshme.

"Informatat e fundit që i kam është se së paku ne tetëmbëdhjetë orët e ardhshme nuk pritet ndonjë përmirësim i gjendjes aktuale, kjo varësisht nga kushtet atmosferike, mirëpo fatkeqësisht ato tregojnë se ky hi vullkanik është duke ardhur në drejtim të vendeve ku edhe Kosova gjendet, kështu që në ditët në vazhdim ndoshta këto dy tre ditë është problem të shohim përmirësim të tyre", tha Agron Mustafa, Drejtor i Aeroportit të Prishtinës.

Humbjet financiare që shkakton anulimi i fluturimeve në aeroportin e Prishtinës është rreth 100 mijë euro në ditë.

"Humbjet financiare nuk janë të vogla për momentin mirëpo unë presë që këto humbje financiare të rikoperohen në ditët në vazhdim sepse të gjitha ato bileta të cilat janë shitur edhe pse nuk realizohen sot do të realizohen në ditët në vazhdim ashtu si të jetë situata", tha Agron Mustafa, Drejtor i Aeroportit të Prishtinës.

Sipas Mustafës tani për tani është e vështirë të thuhet se kur mund të kalojë kjo situatë e rëndë e trafikut ajror.

Pluhuri i hirit vullkanik ka arritur në 16 mijë metra lartësi, ndërsa lartësia më e madhe e fluturimeve është 12 mijë metra.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat