Qeveria e Kosovës e mirëpritet projekt-rezolutën e re

Kosova

Qeveria e Kosovës e mirëpritet projekt-rezolutën e re

Më: 9 shtator 2010 Në ora: 02:08

Qeveria e Kosovës përmes një deklarate për media ka mirëpritur projekt-rezolutën e re të përgatitur nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe e mbështetur nga SHBA-të, e cila do të prezantohet për miratim nesër në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Draft-rezoluta e re e përkrahur nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe e mbështetur edhe nga SHBA-të është në përputhje të plotë me realitetin e krijuar në Kosovë dhe në rajon. Kjo draft rezolutë merr në konsideratë mendimin këshillëdhënës të GJND-së, e cila ka konkluduar qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Për më tepër, Qeveria e Kosovës konsideron se projekt-rezoluta e re hedh poshtë çdo mundësi për negociata për statusin politik të Kosovës dhe bën ftesë për bashkëpunim ndërmjet palëve me qëllim të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe hap perspektivën e integrimeve euro-atlantike.

Qeveria e Kosovës është e kënaqur që projekt-rezoluta e përgatitur nga Serbia është tërhequr nga diskutimi dhe mirëpret vendimin e Serbisë për të pranuar projekt-rezolutën e re të përgatitur nga BE-ja dhe SHBA-të.Duke përjashtuar mundësinë e hapjes së bisedimeve për statusin, Qeveria e Kosovës përkujton se gjithmonë ka afirmuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me Serbinë, si dy shtete të pavarura për çështje të interesit ndërshtetëror në kuadër të perspektivës euro-atlantike.

“Qeveria e Kosovës shpreh keqardhje për deklaratën e bërë publike nga Qeveria e Serbisë, e cila në mënyrë dëshpëruese përpiqet të krijojë keqinterpretime dhe pritje false lidhur me përmbajtjen e draft-rezolutës së re të përpiluar nga BE-ja dhe SHBA-ja”, thuhet më tej në deklaratë.

Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin për vazhdimin e politikës së fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet e rajonit, e bindur se perspektiva e përbashkët e shteteve të Ballkanit Perëndimor është integrimi në BE dhe NATO.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat