AKR: Rezoluta, moment i rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Kosova

AKR: Rezoluta, moment i rëndësishëm në marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Më: 10 shtator 2010 Në ora: 13:46

Aleanca Kosova e Re (AKR) e ka cilësuar moment të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, miratimin e rezolutës për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Në një konferencë për media të premten, nënkryetari i kësaj partie, Ibrahim Gashi, bëri thirrje që institucionet e Kosovës ta shfrytëzojnë pozitivisht këtë momentum të ri për Kosovën, në çështjen e lobimit për njohje të reja.

“Projektrezoluta e modifikuar e Serbisë, e cila u bashkë-sponsorizua nga 27 vendet e BE-së dhe që u aprovua mbrëmë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së paraqet një moment të ri në marrëdhëniet Kosovë - Serbi, në veçanti në perspektivën e marrëdhënieve të këtyre dy vendeve me Brukselin”, ka thënë Gashi.

AKR, sipas Gashit, e konsideron të rëndësishme rezolutën e aprovuar, së paku për tri momente për Kosovën, dhe dy për Serbinë.

“Së pari, rezoluta merr qartë në konsideratë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Së dyti, rezoluta me asgjë në përmbajtjen e saj nuk lë të kuptohet se do të ketë bisedime për statusin dhe kufijtë e shtetit të Kosovës dhe së treti, rezoluta shpreh për herë të parë një unanimitet të 27 vendeve anëtare të BE-së në raport me pavarësinë e Kosovës. Ky fakt, krijon rrethana atë favorshme të përafrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian”, ka thënë Gashi.

Rezoluta, sipas Gashit duhet të konsiderohet e rëndësishme, ndërkaq edhe për Serbinë, për dy momente. Së pari, rezoluta e miratuar me aklamacion nga vendet anëtare të OKB-së, sipas Gashit kryefjalë të parë e ka fillimin e një dialogu ndërmjet Prishtinës e Beogradit me mbikëqyrje nga Brukseli, pa e definuar shumë qartë agjendën, përveç pamundësisë së hapjes së çështjes së statusit.

“Konsideroj se për Serbinë mbetet i rëndësishëm ky formulim si i tillë, sepse ajo do të provojë të ngrejë çështje që kanë të bëjnë me pozitën e serbëve në veri të lumit Ibër, dhe së dyti, rezoluta e ka qartësuar perspektivën e Serbisë në procesin integrues të saj drejt Bashkimit Evropian. Ka shumë të ngjarë që Serbia shumë shpejt të marrë edhe statusin e kandidatit, kjo nënkupton se Serbia në proceset integruese do të veprojë nga pozicioni i saj i ri”, është shprehur Gashi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat