Zgjedhje të qeta, pjesëmarrje e ulët!

Kosova

Zgjedhje të qeta, pjesëmarrje e ulët!

Më: 10 janar 2011 Në ora: 10:22

Pjesëmarrje shumë më e ulët e qytetarëve u shënua në zgjedhjet e pjesshme që u mbajtën në tri komunat ku u zhvillua procesi i rivotimit, në Skenderaj, Drenas, Deçan dhe në dy vendvotime në Lipjan dhe Malishevë. Në Skenderaj dhe Drenas, në zgjedhjet e 12 dhjetorit, pjesëmarrja e qytetarëve në votime ishte mbi 90 përqind.

Ky proces u shpall jo i rregullt, ndërsa, në rivotimet me 9 janar pjesëmarrja në këto dy komuna ishte rreth 60 përqind. Në komunën e Deçanit ishte rreth 50%.

Ismet Kryeziu nga rrjeti i organizatave joqeveritare që monitoruan rivotimet e 9 janarit, thotë se ky proces ishte më i mirë sesa në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

"Vetë pjesëmarrja më e ulët e votuesve në këtë proces, tregon se nuk mund të krahasohet me ditën e 12 dhjetorit, që do të thotë se rivotimet e 9 Janarit janë më të rregullta edhe pse ka pasur disa parregullsi", thotë Kryeziu.

Reagime ndërkombëtare dhe nga partitë politike

Për një proces më të rregullt zgjedhor flet edhe shefi i zyrës civile ndërkombëtare, Peter Faith, i cili kordinoi ekipet ndërekombëtare të vëzhguesve.

"Deri më tash kam përshtypje të mira, mirëpo dua të jem i kujdeshëm në gjykimin tim përfundimtar. Ndërsa, sa i përket manipulimit me vota siç kam thënë edhe më herët, kjo nuk do të jetë në shërbim të imazhit të Kosovës", thotë Faith.

PDK menjëherë pas përmbylljes së rivotimit, shpalli fitoren në komunat Drenas dhe Skenderaj. Nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuçi, thotë se ky rezultat ka qenë i pritshëm për partinë e tij.

"Natyrisht që rezultati ka qenë i pritur për PDK-në dhe është një rezultat i fuqizimit të partisë sonë dhe i fuqizimit të legjitimitetit demokratik të zgjedhjeve në tërësi në Kosovë", thotë Kuçi.

LDK e cila vazhdimisht konteston rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit dhe që akuzon për manipulime PDK-në, thotë se akuzat e tyre për manipulime të zgjedhjeve të 12 dhjetorit në rajonin e Drenicës u provuan. Kështu thotë sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri: "Në dy komuna në Skenderaj dhe Drenas, dalja në votimet e 9 Janarit është diku për 30 mijë votues më pak, që është një shifer e madhe për dy komuna jo edhe shumë të mëdha".

Përsëritje të zgjedhjeve edhe në Mitrovicë

Pas rivotimit të së dielës në pesë komuna të Kosovës, rivotime do të ketë edhe në një komunë tjetër, në Mitrovicë në 24 vendvotime për shkak të parregullsive që u shënuan në zgjedhjet e 12 dhjetorit, mirëpo akoma nuk është caktuar data për këtë rivotim. Ky vendim është marrë nga Gjykata Supreme e Kosovës, pas ankesave të Lëvizjes "Vetëvendosje", e cila ishte shprehur e pakënaqur me vendimin paraprak të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa, që rrëzonte pretendimet e saj për manipulime në komunën e Mitrovicës.

Vendimi i Gjykatës Supreme për përsëritjen e pjesshme të votimeve edhe në Mitrovicë ka shtyrë partitë politike që të kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë territorin e Kosovës. Mirëpo, këto kërkesa kundërshtohen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK)e udhëhequr nga Hashim Thaçi.

Analistët thonë se përsëritja e votimeve edhe në komunën e Mitrovicës, do ta vonojë krijimin e qeverisë së re.

>>KQZ: Skenderaj 61%, Drenas 58%

>>DV-ja shpalli rezultatet preliminare

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat