Qeveri koalicioni apo gjithëpërfshirëse?

Kosova

Qeveri koalicioni apo gjithëpërfshirëse?

Më: 10 janar 2011 Në ora: 17:02

Formimi i institucioneve të reja në Kosovë shihet si sfidë, si në kuptimin e arritjes së koalicioneve e marrëveshjeve politike, ashtu edhe nga aspekti i legjitimitetit.

Rivotimet e 9 janarit, siç edhe është pritur nuk kanë ndryshuar shumë rezultatet e para preliminare të publikuara më 13 dhjetor.

Sidoqoftë, për Partinë Demokratike të Kosovës i gjithë procesi, përfshirë edhe rivotimet, vlerësohet se i ka përmbushur standardet demokratike.

Kurse, shqetësimet e analistëve dhe disa partive politike rreth formimit të qeverisë së ardhshme, për PDK-në nuk qëndrojnë. Memli Krasniqi nga PDK-ja, thotë se formimi i qeverisë do të jetë brenga më e vogël për PDK-në sapo të përfundojë i gjithë procesi zgjedhor.

“Pa dyshim se do të presim që edhe në komunën e Mitrovicës të hiqen dyshimet dhe shqetësimet që mund t’i ketë ndokush në mënyrë që ta kemi një rezultat përfundimtar të certifikuar dhe pastaj do të bindeni të gjithë se do të ketë me kohë, një qeveri të re për një kohë rekord. Problemi më i vogël që e ka PDK-ja është që t’i bëjë numrat në Kuvendin e Kosovës për ta krijuar një qeveri të re”, thotë Krasniqi.

Me gjithë optimizmin e PDK-së, ankesat e subjekteve politike kanë arritur në atë shkallë sa kontestohet legjitimiteti i gjithë procesit.

Lidhja Demokratike e Kosovës insiston që vendi të shkojë në zgjedhje të reja gjatë vjeshtës, duke krijuar paraprakisht një qeveri gjithëpërfshirëse.

Arbën Gashi nga Kryesia e LDK-së, thotë se kjo qeveri gjithëpërfshirëse do t’i arrinte konsensuset e nevojshme politike në mënyrë që reformat të prekin gjithë procesin zgjedhor për t’i evidentuar dhe evituar parregullsitë për të ardhmen.

“Ne mendojmë që duhet të krijojmë një gjendje politike, ku do të kemi një përfaqësim gjithëpërfshirës derisa të vijë një moment kur institucionet e Kosovës të jenë gjithëpërfshirëse. Duhet të jetë një qeverisje, e cila duhet t’i përfshijë të gjithë në mënyrë që të gjithë të jenë pjesë e procesit për hartimin e ligjit të ri për zgjedhjet, ose për ndryshimin Ligjit të zgjedhjeve”.

“Gjithashtu, duhet të krijohen kushtet e barabarta që në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të duhej të mbaheshin në vjeshtë, të ishin të gjithë të barabartë dhe në mënyrë të barabartë qytetarët të vendosnin për preferencat e tyre politike”, shprehet Gashi.

Votimet e 12 dhjetorit, si edhe rivotimet e djeshme, për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës nënkuptojnë një lëndim serioz të të gjithë procesit zgjedhor.

Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, thotë se legjitimiteti i institucioneve është cenuar shumë nga parregullsitë e zgjedhjeve dhe beson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të lira sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne duhet të ndërtojmë konsensus që të fillojmë menjëherë punën që të ndërtojmë një sistem tjetër zgjedhor dhe në mundësinë e parë që do të kemi si Kosovë, të futemi menjëherë në zgjedhje, sepse këto zgjedhje vërtet nuk mund të japin institucione legjitime. Do të thotë se është vështirë të paramendohet se do të ketë institucione me mandat katërvjeçar nga këto zgjedhje”, thekson Ramadani.

Ndërkohë, Aleanca Kosova e Re, përkatësisht Koalicioni për Kosovën e Re pozicionin e vet në raport me institucionet e ardhshme e ndërlidh me përmbylljen e procesit zgjedhor dhe publikimin e rezultateve zyrtare.

Zëvendëskryetarja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se Koalicioni për Kosovën e Re, ndonëse ka shprehur shqetësime për vonesa në këtë proces zgjedhor, është në pritje të rezultateve zyrtare.

“Koalicioni për Kosovë të Re ka thënë se do t’i diskutojë të gjitha, por pasi të kemi një përmbyllje të procesit zgjedhor dhe certifikim të rezultateve. Pa një përmbyllje të këtij procesi dhe pa rezultatet zyrtare, Koalicioni për Kosovën e Re nuk ka dhënë asnjë shenjë lidhur me krijimin e institucioneve, ose nuk ka hapur diskutime lidhur me mundësinë e krijimit të institucioneve dhe hyrjes në ndonjë koalicion qeverisës”, thotë Kusari-Lila.

Pozicionin e vet në raport me institucionet e ardhshme, përkatësisht me Qeverinë, e qartëson edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila është përcaktuar për opozitë.

Procesi zgjedhor nuk është përmbyllur ende pasi që tani priten edhe rivotimet në Mitrovicë.

Analistët kanë parashikuar vonesa të theksuara në formimin e qeverisë, marrë parasysh pozicionet e partive politike, të cilat, ose e kontestojnë gjithë procesin zgjedhor, ose edhe hezitojnë të përfshihen në një koalicion të ardhshëm, duke mos besuar në qëndrueshmërinë dhe mandatin katërvjeçar të qeverisë së ardhshme.(rel)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat