Edhe rivotimi me ankesa

Kosova

Edhe rivotimi me ankesa

Më: 11 janar 2011 Në ora: 15:52

As rivotimi i 9 janarit në Skenderaj, Drenas, Deçan, Malishevë e Lipjan nuk ka kaluar pa ankesa të subjekteve politike dhe të vëzhguesve.

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, deri në mbylljen afatit ligjor për deponimin e ankesave, kanë arritur 61 sosh. Kryesuesi i Panelit, Shukri Sylejmani, njofton se cilat subjekte janë ankuar:

“Me skadimin afatit ligjor për paraqitjen e ankesave, gjithsej kanë ardhur 61 ankesa: 39 nga Vetëvendosje, 10 nga LDK-ja, 10 nga BIRN-i dhe 2 nga PDK-ja”, thotë Sylejmani për Radion Evropa e Lirë.

Edhe në ditën e votimit ka pasur ankesa nga subjektet politike, kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ndërkohë, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë kanë kritikuar rivotimin, duke vënë në pah parregullsi të shumta që kanë pamundësuar përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Shukri Sylejmani thotë se ankesat përfshijnë pothuajse të gjitha qendrat e votimit në zgjedhjet e 9 janarit. Sidoqoftë, ai nuk mendon se mund të ketë përsëri rivotim.

“Nuk mund të flitet tani për tani për rivotim, ngase kjo i bie që ne po paragjykojmë diçka. Por, duke pasur parasysh situatën nëpër të cilën po kalon Kosova, është vështirë të flitet për një rivotim. Megjithatë, shkelësit që i kanë bërë ato shkelje me qëllim, ato gabime me qëllim, nuk do të falen dhe do të ndëshkohen sipas ligjit”, thotë Sylejmani.

Në rivotimin e së dielës në Skenderaj, Drenas, Malishevë e Lipjan fituese ka dalë Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në Deçan Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Por, pjesëmarrja e votuesve ka qenë dukshëm më e vogël sesa më 12 dhjetor.

Për shkak të parregullsive të gjetura në zgjedhjet e 12 dhjetorit, edhe Mitrovica do të shkojë në rivotim më 23 janar. Komisioni Qendror Zgjedhor beson se cikli i zgjedhjeve do të mbyllet pas rivotimit në Mitrovicë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat