Fjalët e Kaczynski-t para tragjedisë: ''Katini vend i mallkuar, më fut të dridhurat!''

Religjion

Fjalët e Kaczynski-t para tragjedisë: ''Katini vend i mallkuar, më fut të dridhurat!''

Nga: NEW YORK TIMES” Më: 18 prill 2010 Në ora: 03:24

MOSKE - Avioni që mbante Presidentin polak dhe një duzinë të liderëve kryesorë politikë dhe ushtarakë të vendit dhe që fluturonte drejt vendit ku u krye masakra e oficerëve polakë nga sovjetikët gjatë Luftës së Dytë Botërore, u rrëzua në Rusinë perëndimore ditën e shtunë. Asnjeri nuk mundi të mbijetonte.

Avioni i Presidentit Lech Kaczynski u përpoq të ulej në mes të një mjegulle shumë të dendur dhe duke mos arritur të gjente pistën u rrëzua duke u rrotulluar mbi pemët e dendura që gjendeshin gjysëm milje larg aeroportit Smolensk, duke përhapur pjesë të avionit nëpër të gjithë pyllin. Rrëzimi i avionit qe një goditje e rëndë dhe befasuese për të gjithë Poloninë, duke i hapur rrugën me të drejtë ndaj supozimeve se shfarrosja e pjesës më të madhe të lidershipit të vendit ka qenë një komplot i pastër. Sikur të mos mjaftonte, ironia qëndron në faktin se kjo katastrofë ka ndodhur pikërisht në një kohë kur Rusia dhe Polonia kishin filluar të merreshin vesh me njëra-tjetrën përsa i përket vrasjes së 20.000 anëtarëve të elitës së trupave ushtarake në të njëjtin vend 70 vjet parë.

"Është një vend i mallkuar", ka thënë ish-Presidenti Lech Aleksander Kaczynski për TVN24. "Më fut të dridhurat. Kjo është një plagë shumë e vështirë për t'u mbyllur", tha ai.

Një kryeoficer ushtarak rus tha se kontrollorët e trafikut ajror të aeroportit Smolensk e kishin këshilluar disa herë ekuipazhin e avionit që të mos të uleshin pasi ishin duke iu larguar pistës dhe i rekomanduan të ndryshonin destinacion për të zbritur në një aeroport tjetër.

"Pavarësisht tentativave për t'i bindur, ekuipazhi në bord vazhdoi të ulej me shpejtësi", tha gjenerali Aleksandr Alyoshin, kryedelegati i parë i Forcave Ajrore Ruse. "Fatkeqësisht rezultatet qenë tragjike".

Zyrtarët e emergjencave ruse thanë se 97 persona kishin mbetur të vrarë. Në këtë numër ata përfshinë edhe zyrtarë të Ministrisë së Jashtme polake dhe një duzinë parlamentarësh, krerët e ushtrisë dhe marinës si dhe Presidentin e Bankës Kombëtare. Në tragjedi ishte përfshirë edhe 80-vjeçarja Anna Walentynoëicz, e cila në vitin 1980 qe nismëtarja e Grevave të Solidaritetit, që i dhanë edhe fund komunizmit, si dhe gjithashtu një numër i madh të afërmish së viktimave të masakrës që ishin nisur për të përkujtuar.

E gjithë Polonia u bashkua me dhimbjen e tyre në një mënyrë që të kujtonte vdekjen e papës polak Gjon Pali II pesë vjet më parë. Mijëra njerëz marshuan drejt pallatit presidencial për të vendosur lule dhe për të ndezur qirinj. Magda Niemczyk, një studente 24-vjeçare mbante në dorë një tulipan dhe thoshte: "Doja patjetër të qëndroja bashkë me gjithë Poloninë në këtë dhimbje të madhe".

"Është një tragjedi kombëtare", tha Ryszard Figurski, një pensionist 70-vjeçar që më parë kishte qenë punonjës telekomunikacioni. "Pavarësisht pozicionit të tyre zyrtar, është thjesht dhimbja e humbjes së një numri të madh jetësh".

Ministri i Jashtëm, Radoslaw Sikorski, një nga liderët e politikës polake më të famshëm që nuk ishte në bordin e avionit fatkeq, tha për Radion "Zet" se ai ishte personi që kishte lajmëruar Kryeministrin Donald Tusk, i cili u përlot kur mori vesh katastrofën e madhe që kishte ndodhur.

Tragjedia ndodhi disa ditë pasi Kryeministri Vladimir V. Putin u bë lideri i parë rus që i bashkohej zyrtarëve polakë në përkujtimin e masakrës së vitit 1940 në pyllin Katyn, një plagë që vazhdonte të qëndronte e hapur ndërmjet këtyre dy vendeve për dekada me radhë dhe që për polakët ishte një simbol i dominimit rus. Ish-Presidenti Lech Walesa, i cili ka drejtuar vendin në kohën e tranzicionit të komunizmit të Polonisë, e quajti rrëzimin e avionit si "katastrofa e dytë pas Katyn-it".

"Ata donin të na prisnin kokën atje dhe këtu gjithashtu arritën të thanin lulen e kombit tonë", tha ai. Rezultatet e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale polake ishin shumë të paqarta. Partia Ligj dhe Drejtësi humbi një numër të madh liderësh të rëndësishëm përveç Presidentit, duke përfshirë këtu edhe liderët e saj parlamentarë. Kaczynski ka qenë shumë mbrapa kundërshtarit të tij në sondazhet parazgjedhore, por simpatia e shtuar nga zia e popullit për ta mund të jetë një avantazh për këtë parti që të kryesojë në zgjedhjet presidenciale. Sipas Kushtetutës së Polonisë, Kryetari i Parlamentit që tashmë kryen rolin e Presidentit, ka afat 14 ditë që të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të zhvillohen brenda 60 ditëve.

Ndërkohë që tragjedia nuk besohet se do të ndryshojë marrëdhëniet e Polonisë me vendet e tjera, duke përfshirë këtu edhe planin e saj për të drejtuar një pjesë të Sistemit të Mbrojtjes Raketore të Amerikës, ka shumë mundësi të acarojë akoma më shumë marrëdhënien e saj me Rusinë.

Ish-Presidenti Kaczynski, 61-vje0231ar, një nacionalist i egër, i cili shpeshherë ka patur konflikte me Rusinë, ishte nisur drejt Katyn-it, aty ku anëtarët e policisë sekrete sovjetike ekzekutuan oficerët polakë, të cilët ishin kapur pas pushtimit të Polonisë në vitin 1939 nga Ushtria e Kuqe.

Marrëdhëniet ndërmjet Varshavës dhe Moskës kanë qenë të acaruara që nga ajo kohë. Për gjysëm shekulli, Moska ka mohuar çdo lloj implikimi me këto vrasje duke ia vënë fajin nazistëve. Por, të mërkurën Z. Putin ndërmori një hap gjigant për të përmirësuar marrëdhëniet, duke u bërë kështu lideri i parë rus ose më mirë sovjetik, që u bashkua me zyrtarët polakë në përkujtimin e përvjetorit të masakrës. Ai u bashkua atje me Z. Tusk.

Ish-Presidenti Kaczynski, i parë nga Kremlini si më pak miqësori me Rusinë, nuk ishte i ftuar. Në kundërshtim me ta, ai vendosi të merrte pjesë në një event të veçantë të organizuar nga polakët ditën e shtunë.

Liderët rusë, duke e ditur mirë rëndësinë dhe potencialin e lartë politik të tragjedisë, u nxituan menjëherë të shprehnin keqardhjen dhe ngushëllimet e tyre. Z. Putin u largua nga Rusia për të takuar Kryeministrin Tusk në vendin e rrëzimit dhe Presidenti Medvedev dha një deklaratë për shtyp drejtuar popullit të Polonisë duke thënë: "E gjithë Rusia është në zi dhe ndan me ju këtë dhimbje të madhe".

Avioni që u rrëzua ishte një Tupolev 20-vjeçar Tu-154, i ndërtuar nga sovjetikët në mes të viteve '60 dhe operohej nga Forcat Ajrore Polake. Rusia e ndaloi prodhimin në masë të këtyre avionëve rreth 20 vite më parë ndërkohë që rreth 200 prej tyre janë ende në përdorim rreth e qark botës, tha Paul Hayes, drejtor i aksidenteve dhe siguracioneve tek "Ascend", një qendër këshilluese të aviacionit të Londër.

Zyrtarët në Poloni kanë bërë kërkesa të vazhdueshme që të zëvendësohej flota e plakur e qeverisë. Ish-Kryeministri Leszek Miller, i cili i mbijetoi një aksidenti ajror me helikopter në vitin 2003, tha për median polake se e kishte parashikuar prej kohësh një lloj katastrofe të tillë. "Dikur kam thënë se kur të takohemi në një kortezh mortor, do të kujtohemi të marrim vendimin për të zëvendësuar avionët qeveritarë", tha ai.

Megjithatë, është ende e paqartë nëse mosha e vjetër e avionit ka qenë shkaktarja e rrëzimit. Vendndodhja e rrëzimit fatal ishte e rrethuar, por mediat ruse kanë raportuar se ekuipazhi në bord ka bërë një sërë tentativash për t'u ulur para se njëri krah i avionit të përplasej me majën e një peme, duke bërë që avioni të rrëzohej gati gjysëm milje larg pistës. Korrespondentët në vendin e ngjarjes thanë se shpërthimi i avionit ishte aq i fuqishëm saqë copat e tij kaluan përtej aeroportit Smolensk, gati një milje larg vendit të përplasjes.

Një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme polake tha se në avion gjendeshin 88 pasagjerë. Ndërmjet tyre, tha qeveria polake, ishin Z. Kaczynski; gruaja e tij, Maria; Ryszard Kaczorowski, i cili drejtoi qeverinë në ekzil gjatë periudhës komuniste; deputeti zëdhënës i Parlamentit polak, Jerzy Szmajdzinski; kreu i kancelarisë presidenciale, Wladyslaw Stasiak; kryetari i Byrosë së Sigurisë Kombëtare, Aleksander Szczyglo; përfaqësuesi i ministrit të Jashtëm, Andrzej Kremer; kryetari i Ushtrisë polake, Franciszek Gagor; Presidenti i Bankës Kombëtare polake, Slawomir Skrzypek; si dhe komisioneri i mbrojtjes së të Drejtave Civile, Janusz Kochanoëski.

Z. Kaczynski ishte zgjedhur President në vitin 2005 njëlloj si vëllai i tij binjak, Jaroslaw, u bë kryetari i qeverisë konservatore nacionaliste Ligj dhe Drejtësi. Ai krijoi marrëdhënie të ngushta me Ukrainën dhe Gjeorgjinë dhe nxiti pranimin e tyre në NATO, duke ngulur këmbë me egërsi se një NATO më e fuqishme do ta mbante Rusinë nën kontroll, duke mos e lejuar të rivendosë influencën e saj mbi Europën Lindore.

Ai ishte një mbështetës i madh i planeve që sistemi i mbrojtjes raketore antiballistike amerikane të shtrihej në Poloni, duke e xhindosur Rusinë. Edhe pse ai propozim i Presidentit George W. Bush u tërhoq nga Presidenti Obama, zyrtarët polakë kanë thënë gjithnjë se janë akoma të mendimit që të mirëpresin këtë projekt. Duket se plani nuk do të ndikohet nga kjo tragjedi.

(Nicholas Kulish dhe Michal Piotrowski dhe Ellen Barry raportuan nga Moska.. Clifford J. Levy dhe Viktor Klimenko kontribuan në raportimin nga Moska, ndërsa Nicola Clark nga Parisi.)

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat