Sahatqija: Protokolli dëmton Kosovën, ndihmon Serbinë

Lajme

Sahatqija: Protokolli dëmton Kosovën, ndihmon Serbinë

Më: 12 shtator 2009 Në ora: 13:53

Institucionet e Kosovës kanë marrë kritika përsëri nga Partia Reformiste ORA për situatën aktuale në vend. Liderja e kësaj partie Teuta Sahatqija ka thënë se Qeverinë e Kosovës se po sillet si spektatore, e jo si aktore në procesin e zhvillimeve të fundit në vend. Ajo tha se përkundër fjalëve të forta që dhanë më herët liderët e Kosovës për nënshkrimin e protokollit në mes të EULEX-it e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, duket se këto fjalë i mori era. “Pas nënshkrimit të djeshëm të po atij protokolli, dëgjojmë nga po të njëjtit udhëheqës se kjo nuk paraqet kompetencën e Kosovës, se nuk ka ndonjë rrezik për shtetësinë e Kosovës e se e forcon bashkëpunimin e Kosovës me BE-në”, tha Teuta Sahatqija, kryetare e ORA-s.

“Ky protokoll do të ndihmojë Serbinë për përshpejtimin e hapave për liberalizimin e vizave dhe afrimin me BE-në. Gjë e cila në kushte normale të fqinjësisë së mirë do të ishte inkurajuese edhe për ne se do të na jepte shpresë se edhe ne në të ardhmen e afërt do të bashkohemi familjes së madhe të BE-së. Por për të gjithë janë të njohura aktivitetet e Serbisë në pengimin e sovranitetit tonë dhe afrimi i një fqinji me BE me orientim armiqësor ndaj nesh do të thotë largimi i Kosovës nga këto procese të liberalizimit apo aderimit në BE”.

LDD kundërshton vendimin mbi shërbyesit civil

Drejtues të Shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) janë shprehur kundër vendimit që ka të bëjë me të drejtat dhe kufizimet e nëpunësve civil për zgjedhjet lokale të nëntorit, duke thënë se ky vendim lejon që shërbyesit të vihen në pozitë jo të barabartë me qytetarët tjerë, ndërsa kanë bërë të ditur se LDD të hënën do të dalë me emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave.

Në një konference për media, shefi i Shtabit zgjedhor të LDD-së, Sejdë Tolaj, tha se vendimi i nënshkruar ditë më parë nga ministri i Administratës Publike, Arsim Bajrami dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe me Kushtetutën si aktin më të lartë juridik të vendit.

“Pasi që kemi vlerësuar dhe kemi analizuar me kujdes si Lidhje Demokratike e Dardanisë këtë vendim, kemi ardhur në përfundim nuk është i drejtë, është vendim i cili dëmton personelin arsimor, personelin shëndetësor dhe të gjithë shërbyesit civil. Eshtë vendim që cenon të drejtën themelore dhe të drejtën kushtetuese të qytetarëve të Republikës së Kosovës, e drejtë kjo e garantuar edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do të thotë e drejta për t”u zgjedh dhe për të zgjedhur dhe vendim i cili do me thënë atakon kategorinë më të respektuar të shoqërisë kosovare”, tha Tolaj.

Ndërkaq këshilltari politik i Shtabit zgjedhor të LDD-së, Ramadan Kelmendi theksoi se vendimi për shërbyesit civil i vendos ata në pozitë jo të barabartë me qytetarët tjerë të vendit.

“Ky vendim shpjegues mbi pjesëmarrjen e shërbyesve civil në fushatën zgjedhore është në kundërshtim të bazuar dhe si i tillë është vendim kushtëzues me çka qytetarët e Republikës së Kosovës nuk janë të barabartë para ligjit. Eshtë jo i precizuar juridikisht dhe lë mundësi të interpretimeve subjektive, i lejon që shërbyesit të vihen në pozitë jo të barabartë me qytetarët tjerë dhe ajo që është më kryesorja është në tërësi i kushtëzuar nga kushtet në kundërshtim me legjislacionin, në fuqi që është në aplikim në Republikën e Kosovës”, theksoi Kelmendi.

Për më tepër Kelmendi shprehu dyshim e tij që kjo rregullore ka edhe për qëllim që gjatë fushatës zgjedhore një numër i madh i shërbyesve civil të detyrohen të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor, të rrezikojnë vendin e punës dhe të hapen vende të reja të punës për militantët e partive që ushtrojnë pushtetin.

Ndërkohë duke folur për prezantimin e emrave të kandidatëve për kryetarë të komunave në zgjedhjet e 15 nëntorit, shefi i Shtabit zgjedhor të LDD-së, Sejd Tolaj tha se ky subjekt politik të hënën do t”i bëjë publik kandidatët.

“Ju njoftoj edhe zyrtarisht se LDD-ja sot edhe nesër, do të thotë pikërisht asht siç jemi deklaruar gjatë vikendit do ta përgatisë versionin final të listës së kandidatëve, të cilët garojnë për kryetarë të komunave të Kosovës, por edhe për kuvende komunale. Besoj që për përbërjen e të gjitha kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale 2009, do të njoftoheni në një takim medial që do ta organizojë LDD-ja të hënën”, theksoi Tolaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat