Jep “dorëheqje” edhe avokati Avni Gjakova - Bota Sot
Jep “dorëheqje” edhe avokati Avni Gjakova

Lajme

Jep “dorëheqje” edhe avokati Avni Gjakova

Nga: Teuta Rexhepi Më: 15 prill 2010 Në ora: 17:06

Prishtinë, 15 prill - Gjykimi i paraparë që të zhvillohej të enjten në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ndaj liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, u shty për të premten (sot) pasi që Policia e Kosovës nuk ka arritur ta arrestojë Kurtin, pasi kundër tij ishte lëshuar një urdhër arrest nga gjykatësi kryesues. Policia ka bastisur paraditen e ditës së enjte ambientet e “Lëvizjes Vetëvendosje”, mirëpo nuk kishte gjetur Kurtin aty. Albin Kurti, i cili akuzohet në lidhje me demonstratat e 10 shkurtit 2007, ku patën humbur jetën dy qytetar dhe dhjetëra të tjerë ishin plagosur, procesin gjyqësor ndaj e tij e quan të motivuar politikisht, prandaj ai ka thënë se nuk do të paraqitet vullnetarisht para një trupi gjykues, përderisa ekziston EULEX-i këtu, mision ky që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dhe si i tillë sipas Kurtit, nuk mund të sigurojë gjykim të drejtë e të paanshëm. Ndërsa, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Avni Gjakova ka refuzuar të vazhdojë që t’i ndihmojë Albin Kurtit dhe është larguar nga gjykata. Kurse, gjykatësi kryesues ka vendosur që për mbrojtjen e Albin Kurtit, ta caktojë si ndihmës avokat mbrojtës sipas detyrës zyrtare, kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragushën. Gjithsesi, Avni Gjakova nuk e tha në mënyrë eksplicite nëse dha dorëheqje përfundimtare dhe të parevokueshme si avokat mbrojtës i Albin Kurtit në këtë gjykim. “Unë kurrë nuk kam kërkuar që të ndërrohen dy gjyqtar ndërkombëtar me dy gjyqtar shqiptar. Kërkesa ime ka të bëjë me atë që e ka thënë Civinini, që lënda ka implikime politike. Natyrisht që ka implikime politike prandaj kam kërkuar që të ndërrohen jo vetëm gjyqtarët, por i tërë trupi gjykues”, tha Gjakova. Këtë të fundit aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” në shenjë revolte për pranimin e rastit Kurti që e kishte bërë në seancën e kaluar, e kanë gjuajtur me vezë, derisa ky hynte në Gjykatë. Ndërkohë kryetari i OAK, Musa Dragusha, e mbështetë plotësisht avokatin Avni Gjakova, në kërkesën e tij dhe se ai ende nuk dihet a do të shkojë në seancë, pasi që në adresë të tij ende nuk ka shkuar asgjë zyrtare. Në anën tjetër, zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes, tha se gjykatësi përgjegjës për këtë rast ka lëshuar një vendim të ri për arrestimin e Kurtit dhe sjelljen e tij para gjykatës. “Policia e Kosovës do të jetë përgjegjëse për arrestimin e Kurtit, por në rast se i kërkohet ndihma e EULEX-it ajo ndihmë do t’i ofrohet nga policia e EULEX-it”, tha Herodes. Ndërkaq, aktivisti i Lëvizjes “Vetëvendosje” Glauk Konjufca, duke komentuar “dorëheqjen” e avokatit mbrojtës të Albin Kurtit, Avni Gjakova, tha se EULEX-i dështoi në sigurimin e bashkëpunëtorit për vazhdimin e procesit gjyqësor të cilin e quajti me prapavijë politike kundër Albin Kurtit. “Fernando de Monguot, caktoi për avokat mbrojtës të radhës Musa Dragushën, kryetarin e OAK, i cili më herët veç ka treguar se nuk e pranon këtë funksion”, tha Konjufca. Ai me këtë rast edhe njëherë ju ka bërë thirrje gjyqtares së vetme vendore në këtë trup gjykues Fellënza Kadiu dhe prokurorit të çështjes Ali Rexha, që të tërhiqen nga ky rast duke kërkuar kështu nga prokurori që edhe të tërheq aktakuzën kundër Albin Kurtit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...