Bisedime BE-Beograd për rezolutën

Lajme

Bisedime BE-Beograd për rezolutën

Më: 6 shtator 2010 Në ora: 18:00

Një përpjekje e fundit e BE-së, për ndryshimin e Rezolutës serbe, pritet të ndërmerret të martën në mbrëmje, kur në Bruksel shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, do të takojë presidentin serb Boris Tadiq.

Kontaktet mes Brukselit dhe Beogradit zyrtar me qëllim të përafrimit të qëndrimeve rreth një dokumenti të përbashkët që do të mund të paraqitej në OKB, nga mesi i kësaj jave, pritet të intensifikohen edhe më shumë gjatë ditës së hënë, në prag të një takimi të nivelit të lartë BE-Beograd.

Zyrtarë të BE-së i thanë BBC-së se kontaktet me Beogradin dhe Prishtinën, pas vendimit të GJND-së, janë shpeshtuar dhe në veçanti po punohet për të gjetur një zgjidhje për Rezolutën serbe të paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme, qoftë përmes hartimit të një Rezolute të re, qoftë me ndryshimin e pjesëve të asaj që është dorëzuar në OKB.

Zyrtarët evropianë thonë se po bëhen përpjekje për të ndryshuar qasjen e Rezolutës serbe ndaj mendimit të GJND-së dhe posaçërisht thirrjen për bisedime për statusin e Kosovës, që për shumë vende anëtare të BE-së dhe SHBA-në është i përmbyllur.

Përpjekja e fundit për harmonizimin e qëndrimeve ndërmjet Burkselit dhe Beogradit pritet të bëhet të martën, kur do të duhej të takoheshin baronesha Catherine Ashton dhe presidenti serb Boris Tadiq.

Ky i fundit ka deklaruar se mund të arrihet një kompromis për rezolutës, megjtihëse thuhet se tash për tash qëndrimi serb për Kosovën nuk ka ndryshuar.

Autoritetet serbe thonë se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe duan të hapin sërish bisedat për statusin e saj me qëllim të siç thuhet arritjes së një kompromisi.

Qëndrimi serb ndërkaq është parë më shumë si përpjekje e Beogradit zyrtar për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Serbisë, megjithëse vlerësohet se Brukseli ua ka bërë me dije autoriteteve serbe se përplasjet me BE-në do të mund ta ngadalësojnë këtë proces. (bbc)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat