Vestervele: Ndryshimi i projekt-rezolutës, sukses i BE-së - Bota Sot
Vestervele: Ndryshimi i projekt-rezolutës, sukses i BE-së

Lajme

Vestervele: Ndryshimi i projekt-rezolutës, sukses i BE-së

Më: 8 shtator 2010 Në ora: 23:15

Pas shefes së diplomacisë evropiane Ketrin Eshton, edhe ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë Guido Vestervele ka përshëndetur gatishmërinë e Serbisë që në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të paraqesë projekt-rezolutën për Kosovën bashkërisht me Bashkimin Evropian.

Në kumtesën e Ministrisë së Jashtme gjermane të mërkurën mbrëma në Berlin, theksohet se shefi i diplomacisë gjermane shpreson se “projekt-rezoluta e përbashkët nesër do të miratohet në Nju Jork”.

Vestervele ka thënë se ndryshimi i tekstit të projekt-rezolutës paraqet një sukses të diplomacisë së koncentruar evropiane.

Në kumtesë theksohet gjithashtu se ministri Vestervele, si dhe përfaqësuesja e BE-së për Politikë të Jashtme Ketrin Eshton dhe ministri i Jashtëm britanik Uilliam Hejg, gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor kanë kërkuar tërheqjen e projekt-rezolutës ose modifikimin e tekstit.

Mediat elektronike gjermane, duke transmetuar kumtesën e Qeverisë serbe, kanë raportuar se Beogradi nën presionin e BE-së ka zbutur projekt-rezolutën për Kosovën, e cila do të shqyrtohet nesër në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...