MB: Vijon puna për sistemimin e banorëve të dëmtuar nga tërmeti

Kronikë e zezë

MB: Vijon puna për sistemimin e banorëve të dëmtuar nga tërmeti

Më: 9 shtator 2009 Në ora: 11:46

Ministria e Brendshme bëri të ditur dje, se po vijon puna për dhënien e ndihmës për sistemimin e banorëve të dëmtuar nga tërmeti i fortë i dy ditëve më parë në Qarkun e Dibrës. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, tha dje për ATSH-në se, Shtabi Emergjencës Civile, i ngritur në Prefekturën e Dibrës, është duke vijuar punën për sistemimin dhe strehimin e banorëve të zonës të dëmtuar si dhe duke iu shpërndarë atyre ndihmën e nevojshme me materiale, por dhe veshje e ushqime për kapërcimin e situatës. Gjithashtu, Poni bëri të ditur se, grupet e punës janë orientuar dhe po punojnë edhe për vlerësimin e dëmit material të shkaktuar në banesat e banorëve në disa komuna të Dibrës me qëllim zhdëmtimin e dëmit dhe rikthimin e situatës në normalitet të plotë. Fati i mirë është se s'ka të dëmtuar në njerëz. Por nuk mund të thuhet kjo për banesat. Dhjetëra banesa kanë shenjat e dëmtimeve. Në shumë raste, dëmet kanë qenë të mëdha e shtëpitë janë bërë të pabanueshme. Sipas të dhënave të komunës vetëm në Shupenzë, pasojë e tërmetit janë 10 shtëpi të pabanueshme dhe rreth 150 të dëmtuara.

Dy ditë më parë u regjistrua një tërmet me magnitudë 5.2 Shkalla Rihter, me epiqendër në fshatin Gjoricë, 19 kilometra larg qytetit të Peshkopisë. Ndërsa, lëkundjet e forta u ndjenë në zonën veriore si dhe atë qendrore të vendit, përfshirë dhe Tiranën. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, nga tërmeti nuk ka patur të lënduar në njerëz, por janë konstatuar disa shtëpi të dëmtuara plotësisht në Komunën e Gjoricës dhe Ostrenit si dhe dëmtime të rënda e të lehta në disa banesa në Komunat Gjoricë, Shupenzë, Ostren dhe Trebisht, në Qarkun e Dibrës.

Lëkundje tërmeti pati edhe në kryeqytet, por pa shkaktuar asnjë dëm. Lëkundje tërmeti pati gjithashtu edhe në disa zona të tjera të vendit, sidomos në veri, por dëmet në këto zona kanë qenë të vogla. Gjithsesi, qeveria ka marrë të gjitha masat për përballimin e situatës duke u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat