Kryeministri Berisha viziton zonën e dëmtuar nga tërmeti

Shqipëria

Kryeministri Berisha viziton zonën e dëmtuar nga tërmeti

Nga: Bota sot, Tiranë Më: 7 shtator 2009 Në ora: 20:37

Kryeministri Sali Berisha vizitoi, sot në mesditë, në rrethin e Peshkopisë, në zonën e dëmtuar nga tërmeti. Në fshatin Gjoricë, Kryeministri Berisha u takua me banorët, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti dhe u premtoi se qeveria do të ndërhyjë në mënyrë energjike dhe shumë të shpejtë për të riparuar dëmet dhe për të rikthyer në normalitet jetën e tyre. Më pas, Kryeministri Berisha u takua edhe me anëtarët e Shtabit të Emergjencës, si dhe autoritet vendore, nga të cilët u informua për bilancin e dëmeve dhe masat e marra. Në fjalën e tij, drejtuar anëtarëve të Shtabit të Emergjencës dhe autoriteteve lokale, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes dhe bashkërisht me ju të falënderojmë Zotin se nuk kemi humbje në njerëz dhe kjo është më kryesorja, se tërmeti ishte mjaft i fortë.

Berisha i pranishëm në shtabin e emergjencës, i mbledhur në Gjoricë, për zonën e dëmtuar nga tërmeti

Një tërmet 7.2 ballësh është jo i vogël, është i fuqishëm. Mbrëmë e kam ndjekur gjatë gjithë kohës situatën, në kontakt me Ministrinë e Brendshme dhe me autoritet lokale, sot në mëngjes gjithashtu. Ekipet kanë ardhur, por thashë t’ju dëgjoj në vend, në lidhje me problematikën dhe ndërhyrjet e shpejta që duhet të bëjmë për të normalizuar jetën e atyre qytetarëve që e kanë të pamundur të banojnë në shtëpitë e tyre dhe të të tjerëve, për të ndërmarrë një veprim të shpejtë edhe për rindërtimin e kopshteve, shkolla, që mund të jenë të dëmtuara dhe që janë të papërdorshme.Ju përgëzoj për punën që keni bërë, jeni vendosur në krye të detyrës menjëherë. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme, sepse vlerësimi, në radhë të parë, i dëmeve njerëzore dhe problematika e jetëve të njerëzve është çështja më kryesore në këto lloj katastrofash. Fatmirësisht nuk kemi të lënduar, ndërsa dëmet bashkërisht do t’i zhdukim sa më shpejt. Familjet, të cilave banesat u janë bërë të pabanueshme ose të rrezikshme për t’u banuar, do t’i sistemoni kundrejt qirave, në rast se gjeni shtëpi që kanë hapësirë dhe t’ia ofrojmë; në rast të kundërt do të zgjidhni zonën më të mirë për të ndërtuar një kamp me çadra, ku ne do t’u ofrojmë të gjitha lehtësirat. Ushtria do të ndihmojë në ngritjen e këtyre kampeve dhe ndërhyrjet do të jenë energjike.

Jashtëzakonisht e rëndësishme është vlerësimi objektiv, i drejtë. Unë dua t’i siguroj banorët se qeveria është vendosur që të ndërhyjë dhe t’i ndihmojë ata.

Berisha takohet me banorë të fshatit Gjoricë, në rrethin e Peshkopisë, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan gjatë tërmetit të një nate më parë

Natyrisht, mbi bazën e një vlerësimi objektiv dhe në këtë kontekst, vlerësimi juaj paraprak është i domosdoshëm, por ky vlerësim do t’u nënshtrohet pastaj shqyrtimit nga ekspertët vlerësues, siç veprohet në çdo rast. Të tillë kemi dhe i krijojmë menjëherë grupet e tyre, por vlerësimi i parë i juaji, është i domosdoshëm, sepse është ky vlerësim që do t’u tregojë këtyre grupeve se ku do të shkojnë. Ministria do të drejtojë bashkë me autoritetet vendore procesin e vlerësimit, në mënyrë që të fillojnë ndërhyrjet sa më shpejt që të jetë e mundur, sidomos në shtëpi, por edhe në ato një apo dy shkolla që janë bërë të papërshtatshme. Të shohim se çfarë mund të bëhet me ndërhyrjet gjatë kësaj kohe të ngushtë që kemi, prej shumë pak ditësh, të mendojmë se çfarë do të bëjmë me fëmijët gjersa t’u garantojmë shkollën. Problemet e furnizimeve me ushqime janë të zgjidhshme, si dhe me gjërat më të domosdoshme për banorët. Shtabi duhet të vazhdojë të funksionojë deri në zhdukjen e faktorëve të fundit të këtij tërmeti. Qeveria do ta ndjekë në mënyrë konstante, do të përcaktojë të gjitha burimet për kapërcimin e këtyre pasojave.

Edhe një herë ju përgëzoj dhe ju përshëndes për punën që keni bërë. Fatmirësisht nuk kemi lëndime dhe dëmtime në njerëz, se ato do të ishin më të rënda, këto të tjerat i kapërcejmë shpejt.”

Më pas, Kryeministri Berisha pa nga afër shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti. Kryeministri Berisha siguroi familjet e dëmtuara se qeveria në bashkëpunim me autoritetet vendore do të ndërmarrin veprimet të shpjeta për normalizimin e jetës së tyre.

“Të falënderojmë Zotin, - tha Kryeministri - që nuk ka pasur dëme në njerëz, pasi kjo do të kishte qenë shumë më e rëndë për ne. Unë u kam dhënë porosi drejtuesve lokalë dhe atyre në qendër që të veprojnë sa më shpejt për të sistemuar ata që nuk kanë ku të banojnë dhe më pas të ndërmarrin sa më shpejt rindërtimin. Ndërkohë çadrat janë ngritur, do të marrim shtëpi edhe me qira dhe qeveria do të paguajë qiranë për të gjithë kohën e ndërtimit.”

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat