Presidenti Topi nesër i ulë së bashku në një tavolinë Berishën e Ramën

Shqipëria

Presidenti Topi nesër i ulë së bashku në një tavolinë Berishën e Ramën

Më: 12 shkurt 2010 Në ora: 19:20

Tiranë, 12 shkurt - Të shtunën, në orën 11:00 Sali Berisha dhe Edi Rama do të hyjnë nga dyer të ndryshme në takimin me presidentin Bamir Topi. Kreu i qeverisë për efekt protokolli do të kalojë nga porta kryesore e selisë së presidencës, ndërsa lideri i opozitës nga ajo dytësore së bashku me gazetarët. Në takimin e 13 shkurtit, aq të kërkuar nga ndërkombëtarët dhe të parë si një rrugëzgjidhje për krizën politike në vend, dy liderët partiakë nuk do shkojnë vetëm.

Në tryezë krahas Sali Berishës mendohet të ulet dhe kryetari i grupit parlamentar Astrit Patozi, ndërsa në krah të Ramës, Xhafaj ose Ruci. Tryeza e së shtunës do të mbahet në përpjekje të zgjidhjes së krizës politike të krijuar nga bojkoti parlamentar i Partisë Socialiste dhe në rekomandim të rezolutës për Shqipërinë të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Megjithatë rezultati i saj shihet me skepticizëm për faktin se palët kanë përcaktuar kutitë e 28 qershorit, kushtin bazë për të arritur në një zgjidhje; Partia Socialiste që e sheh rezultatin në hapjen e tyre, derisa Partia Demokratike në moscenimin e vendimit të gjykatave.

Ndërkohë, ajo që është bërë e qartë nga të dy partitë është se negociatat do të vazhdojnë përtej tryezës së Bamir Topit. Madje ato kanë filluar që më parë. Kështu pas së shtunës do të merren vesh dhe emrat e negociatorëve, të cilët do të jenë ekspertë nga të dy partitë.

Në kuadër të bisedimeve për një zgjidhje të mundshme është dhe vizita e 22 shkurtit e delegacionit të Këshillit të Evropës.

Bisedat mes kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha dhe liderit të opozitës Edi Rama janë një hap drejt zgjidhjes së “ngërçit” të skenës politike të Shqipërisë e cila daton që nga mbajtja e zgjedhjeve nacionale vitin e kaluar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat