Fier: Ndërprerjet e shpeshta të rrymës, reagojnë bizneset - Bota Sot
Fier: Ndërprerjet e shpeshta të rrymës, reagojnë bizneset

Shqipëria

Fier: Ndërprerjet e shpeshta të rrymës, reagojnë bizneset

Më: 17 tetor 2010 Në ora: 13:51

Shkëputjet e vazhdueshme të energjisë elektrike si dhe justifikimet për remonte herë pas here nga OSSH-ja, kanë detyruar biznesin që të kërkojë mbrojtje dhe konkurrencë edhe për këtë sektor.

Përfaqësuesja e tyre, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Fier, ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të lejuar futjen në treg edhe të ndonjë operatori tjetër me qëllim shtimin e konkurrencës dhe përfitimin e një shërbimi më cilësor.

“Ne jemi të ekspozuar dhe të varur nga një biznes tjetër dhe kjo nuk është normale. Dritat ikin pa lajmëruar, mungojnë për orë të tëra, dëmtojnë aparatura, mallra, dëme të konsiderueshme në biznesin tonë dhe askush nuk mban përgjegjësi. A është privat OSSH-ja? Ashtu siç na kërkohet llogari për shërbimet dhe mungesën e korrektësisë, apo të tjera shërbime që i kryejmë dhe nëse prekim ndokënd na tërhiqet vëmendje, përse këtij operatori të mos t’i bëhet e njëjta gjë?”, ka thënë kreu i Dhomës së Tregtisë Shezai Çobo.

Biznesmenët i janë drejtuar me letër ankese dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës.

“Ashtu si lejohen hapjet e shumë aktiviteteve private që konkurrojnë mes tyre për të rritur cilësinë e prodhimit apo shërbimit, edhe në këtë fushë shteti le të lejojë hyrjen e ndonjë apo dhe dy operatorëve të tjerë me qëllim konkurrimin dhe rritjen e cilësisë së shpërndarjes energjetike. Kjo është një garanci për biznesin, por dhe të gjithë qytetarët që paguajnë çdo konsum, por nga ana tjetër nuk dëmshpërblehen për të gjitha dëmet që shkakton ndërprerja dhe luhatja e vazhdueshme e tensionit”, ka thënë Çobo, i cili nuk ka mundur të gjejë asnjë zgjidhje në këto tre muaj ndërprerjesh të vazhdueshme të energjisë në filialin e OSSH-së Fier, i cili pothuajse është shpërbërë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...