Topalli vizitoi Shkodrën - Bota Sot
Topalli vizitoi Shkodrën

Shqipëria

Topalli vizitoi Shkodrën

Më: 10 dhjetor 2010 Në ora: 16:52

“Strukturat e shtetit do të jenë non stop në mbështetjen tuaj dhe do të përballojnë me të gjitha mjetet, këtë situatë duke e tejkaluar atë”, me këto fjalë Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli shprehu sot sigurinë për mbështetjen maksimale të të gjitha strukturave të shtetit për banorët e zonave të prekura nga përmbytjet në Qarkun e Shkodrës.

Ditën e sotme në Qarkun e Shkodrës, Kryetarja e Kuvendit e nisi me inspektimin fillimisht në hyrje të qytetit, ku me këtë rast ajo takoi trupa të ushtrisë që po shpërndanin ndihma dhe janë në mbështetje orë pas ore të banorë të zonave të prekura.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli inspektoi më pas pompat e Ujësjellësit të qytetit. Për të bërë të mundur furnizimin me ujë 24 orë në 24 të qytetit, punëtorët kanë punuar pa ndërprerje, duke sakrifikuar dhe jetën në mënyrë që të shmangeshin pasojat e dëmtimit të pompave.

“Bashkë më Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës dhe deputetë të Shkodrës unë kam ardhur për të falënderuar në mënyrë të veçantë, drejtorin, përgjegjësit dhe të gjithë punonjësit e pompave të ujit të qytetit të Shkodrës. Këta punonjës gjatë gjithë këtyre ditëve kanë kaluar situata shumë të vështira dhe të rrezikshme, por me një përkushtim dhe një sakrificë të paimagjinueshme natën dhe ditën kanë qenë këta që kanë bërë të mundur që qyteti i Shkodrës të furnizohej me ujë. Kanë qenë këta burra e gra, që kanë qëndruar për të mbrojtur nga uji i pa përmbajtur pompat dhe stacionin elektrik.

Unë do të them se këta janë heronj të vërtetë të Shkodrës. Pak minuta më parë, njëri prej punonjësve më tha se kemi qëndruar këtu natë e ditë në ujë edhe tek stacioni elektrik duke rrezikuar edhe jetën, por ne nuk kemi llogaritur asgjë sepse qyteti ishte në ditët e tij më të vështira dhe ne e duam Shkodrën. Unë mendoj se këta jo vetëm e duan Shkodrën, por mendojnë më shumë për të sesa për jetën e tyre.

Ky ka qenë gjithmonë shpirti i tyre dhe unë i njoh mirë nga afër. Po tregojnë fisnikëri, nuk ankohen, janë të sigurt se Shkodra do ia dali mbanë edhe kësaj here, pavarësisht se mund të zgjasë kjo situatë e vështirë, por vetëm me shpirt sakrifice, besim mund të përballohet një situatë e vështirë si kjo që kemi kaluar dhe mund të bëhet që edhe në kushtet e një çmendurie të vërtetë nga prurjet e liqenit, burimeve nëntokësore, të lumenjve nga e gjithë Shqipëria dhe më përtej, qyteti të furnizohej me ujë.

Dhe në këto ditë të vështira të rrethuar nga uji i cili ishte ngritur një metër afër stacionit elektrik, ndërkohë që këta po punojnë për vënien në punë të stacionit të vjetër të pompave të ujit. Unë dua ti falënderoj me gjithë zemër këta heronj të heshtur, të cilëve qytetarët shqiptarë kurrë nuk kanë për t’ia mësuar emrin, por ne që jetojmë këtu e dimë mirë se janë ata janë heronj”, tha Topalli.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...