Në Tiranë, mbahet sot demonstrata e opozitës - Bota Sot
Në Tiranë, mbahet sot demonstrata e opozitës

Shqipëria

Në Tiranë, mbahet sot demonstrata e opozitës

Më: 21 janar 2011 Në ora: 08:45

Mbahet sot demonstrata e paralajmëruar nga opozita kundër qeverisë, e cila nuk do të jetë njësoj si organizimet e mëparshme.

Ajo ndryshon nga emri, demonstratë dhe jo protestë, nga mënyra se si do të fillojë grumbullimi i njerëzve dhe si do të vazhdojë më tej.

Në këtë rast nuk do të ketë një pikë takimi të caktuar, por demonstruesit do të grumbullohen në orën dy në rrugë të ndryshme të kryeqytetit për t’u drejtuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Një tjetër ndryshim me organizimet e mëparshme është fakti se këtë herë në vendin ku do të bashkohen turmat në bulevard nuk do të ketë të vendosur asnjë qendër zëri, podium apo gjithçka tjetër që ka të bëjë me formën normale të manifestimeve të shkuara.

Në demonstratë nuk do të ketë fjalime nga krerët e opozitës, çka në një mënyrë është pohuar në daljet e fundit edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i cili ka theksuar se PS dhe opozita do të jenë në rrugë bashkë me njerëzit jo si drejtues, por si pjesë normale e popullit.

Në demonstratë nuk do të ketë flamurë partiake apo pankarta forcash të ndryshme pasi, sipas organizatorëve, ajo do të jetë tërësisht jo për marrje pushteti politik, ndaj i është bërë thirrje për t’u bashkuar jo vetëm të majtëve, por edhe të djathtëve.

Një tjetër ndryshim me organizimet e mëparshme është fakti se kjo demonstratë nuk parashikohet të jetë maratonë, pra të zgjasë me ditë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...