Ahmed Zewail, nobelisti tjetër i Egjiptit - Bota Sot
Ahmed Zewail, nobelisti tjetër i Egjiptit

Ndryshe

Ahmed Zewail, nobelisti tjetër i Egjiptit

Më: 8 shkurt 2011 Në ora: 22:34

Mohamed El Baradei nuk është i vetmi nobelist egjiptian që ka hyrë në spektrin politik të Kajros këto ditë shumë të trazuara për vendin. Ndërsa El Baradei është nobelisti më i famshëm dhe më i njohur, ai nuk është i vetmi. Ahmed Zewail, 64 vjeç, një egjiptiano-amerikan, i cili punon në Institutin kalifornian të Teknologjisë së Lartë, ka marrë gjithashtu “Nobelin” për kimi në vitin 1999 dhe ka qenë i dërguari i posaçëm i Obamës për Lindjen e Mesme për sa i takon çështjeve të shkencë

Ai ka mbërritur në Egjipt, vendlindjen e tij, në fillim të javës së kaluar dhe është takuar me të sapoemëruarin zëvendëspresident të vendit, Omar Sulejman. Ai është takuar edhe me sheikun Ahmad Tayeb, kreun me shumë ndikim të institucionit fetar Al Azhar, pas institucionit sunit, si dhe me liderin e Lidhjes Arabe, Amr Musa, i cili gjithashtu ka dalë si një alternativë dhe potencial shumë të fuqishëm për pasardhësin e Mubarakut. Zewail ka kaluar edhe disa ditë në sheshin kryesor të Kajros, “Tahrir”, për të pasur një ide më të qartë të asaj që realisht po ndodh, të nervit dhe vrullit të protestës dhe të asaj çka kërkojnë me të drejtë njerëzit që kanë dalë në shesh dhe që nuk kthehen pas pa rrëzuar përfundimisht regjimin e Mubarakut. Janë ata që e kanë çuar në pikën më kritike këtë regjim që ka 30 vjet që i torturon egjiptianët, duke i provuar edhe nga të drejtat më të ligjshme dhe njerëzore. “Unë jam optimist”, ka deklaruar nobelisti tjetër i Egjiptit, në konferencën e parë për shtyp që dha me t’u kthyer në Egjipt. Ai ka dalë vullnetar që t’ia kushtojë kohën dhe aftësitë qetësimit të situatës dhe nisjes së një dialogu mes palëve. Megjithatë ai nuk është nga ata që kërkojnë një largim të menjëhershëm të Mubarakut. Për krijimin e një dialogu, ai ka parashtruar një plan me pesë pika që, sipas tij, do të ndihmojë në krijimin e dialogut. Në të, veç të tjerash, kërkohet krijimi i një “këshilli të të mençurve” me burrat dhe gratë më të shquara të vendit që do të mbikëqyrë procesin e ndryshimeve kushtetuese, do të çlirojë të burgosurit politikë, do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur nga Mubaraku para 30 vitesh dhe do të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, si dhe do të mundësojë lirinë e mediave.

Si edhe nobelisti tjetër, El Baradei, edhe Zewail është një shkencëtar me mënyra të mira sjelljeje, që është sugjeruar nga qarqe të caktuara edhe si një kandidat i mundshëm për presidentin e ardhshëm të vendit, por ndryshe nga El Baradei, ai e ka refuzuar një propozim të tillë. “Më besoni se ka shumë egjiptianë që janë plotësisht të kualifikuar për ta ndërmarrë një sipërmarrje të tillë shumë të vështirë dhe të rëndësishme për fatet e ardhshme të vendit”, deklaroi ai. Ndërkohë ka qenë shumë i kujdesshëm në lidhje me shprehjet për ndërhyrjen e të huajve në krizën e Egjiptit, veçanërisht amerikanëve, duke deklaruar se “shndërrimet dhe ndryshimet duhet të bëhen nga egjiptianët, sepse problemet janë të egjiptianëve”.

Ai është më diplomatik në deklaratat e tij në krahasim me El Baradein dhe është mbështetës i qëndrimit për njëfarë kohe të Mubarakut në pushtet, ndërkohë që El Baradei ngulmon në mënyrë të vazhdueshme se largimi i Mubarakut duhet të jetë i menjëhershëm. Ai është i mendimit se, nëse protestuesit do të kishin mjaftueshëm materiale për ndryshimin e vërtetë të situatës, do të lejonin Mubarakun që të përfundonte mandatin e tij presidencial dhe nuk do të kërkonin largimin e tij të menjëhershëm. Por largimi i Mubarakut është edhe pika kyçe që ndan mbështetësit kundër Presidentit aktual. Lideri i rëndësishëm i Vëllazërisë Myslimane, i cili hyri në bisedime me zëvendëspresidentin, tha se ai po ngulmonte që Mubaraku ta përfundonte mandatin e tij, por ai ishte me kërkesën e popullit që Mubarak duhet të largohej menjëherë.

Zewail tha se Mubaraku kishte oportunitetin historik që të bëhej “presidenti i parë i vendit më të madh arab në Lindjen e Mesme që ia dorëzonte personalisht pushtetin një tjetër lideri”. Por mbetet për t’u parë nëse Mubaraku e konsideron një veprim të tillë si një shans apo si një disfatë. Mbetet për t’u parë edhe nëse vetë Zewail është në gjendje që të bëjë tolerime të ndryshme për të arritur kompromisin. Nëse El Baradei konsiderohet nga disa egjiptianë si “parashutist” që është hedhur mbi Kajro nga vila e tij vjeneze për t’u bërë presidenti i ardhshëm, nobelisti tjetër ka edhe më pak shanse për të qenë një politikan i pëlqyer nga shumica, pra nga populli që ka dalë në protestë. Por të paktën, deri më tani ai nuk ka shfaqur ambicie të hapura për pallatin presidencial, apo kabinetin qeveritar. Për momentin ai është përqendruar në rolin e tij si ndërmjetës, por e ardhmja do të tregojë nëse edhe atij do t’i lindë befas ambicia për të qeverisur vendin. Çka nuk do të përbënte asnjë çudi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...