Mubarak më i pasur se Bill Gates

Ndryshe

Mubarak më i pasur se Bill Gates

Më: 13 shkurt 2011 Në ora: 12:22

Sado që listën e Forbes-it për njerëzit më të pasur në botë nuk është emri i Hosni Mubarak, është e pakontestueshme se ish-presidenti egjiptian duhet të gjendet në të. Sipas medieve botërore, ai gjatë periudhës së sundimit në Egjipt ka grumbulluar pasuri të madhe. Gazeta britanike “Guardian” thekson se pasuria e Mubarakut dhe familjes së tij arrin diku nga 40-70 miliardë dollarë, që është më shumë se pasuria e Bill Gates dhe Carlos Slim, tajkuni meksikan.

Sipas vlerësimeve të Shërbimit informativ amerikan, lideri i shkarkuar egjiptian dhe familja e tij, në bankat e jashtme kanë pasuri nga 1 deri në 5 miliardë dollarë. Një zyrtar i lartë amerikan ka thënë se “nuk e ka të qartë” se për çfarë arsye media në kohët e fundit kalkulojnë me shuma shumë më të mëdha.

Mirëpo, askush nuk konteston faktin se Mubarak dhe familja e tij kanë pasuri shumë të madhe - shtëpi në Londër dhe në disa qytete amerikane, flotë të avionëve dhe rezidencë në Detin e Kuq. “Ata realisht kanë jetuar si mbretër”, thotë Adel Iskender, profesor me origjinë egjiptiane dhe ekspert për Lindjen e Mesme në Universitetin “Georgetown”.

“Zvicra në këtë moment ka ngrirë pasurinë e ish-presidentit egjiptian”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Bernë. Ai, natyrisht nuk ka folur rreth shumës së pasurisë së Mubarakut, pasi që kjo është fshehtësi, por ka paralajmëruar se do të ngrihen edhe xhirollogaritë e bashkëpunëtorëve më të afërt të tij.

Profesori i shkencave politike në Universitetin Princeton, po kështu vlerëson se pasuria e Mubarakut sillet nga 40-70 miliardë dollarë. Shumica e parave të tij, siç thuhet, gjenden në llogari të fshehta në banka, por ai ka investuar shumë në shtëpi luksoze dhe hotele. Një pjesë e madhe e pasurisë së tij gjendet në bankat britanike dhe zvicerane dhe në patundshmëritë që ka në Londër, New York, Los Angeles dhe në lokacionet atraktive përgjatë Detit të Kuq. Sipas shtypit botëror, më i pasuri në familjen Mubarak është djali i tij Gamal, me 17 miliardë dollarë. në vendin e dytë gjendet vetë Mubaraku me 10 miliardë dollarë, pasojnë djali Alaa me 8 dhe bashkëshortja Suzan me diku 4 miliardë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat