UÇK-ja e vërtetë identifikohet me presidentin Ibrahim Rugova

Diaspora

UÇK-ja e vërtetë identifikohet me presidentin Ibrahim Rugova

Nga: Shkruan Idrizi Zeqiraj Më: 10 janar 2011 Në ora: 14:57

Pahamendësisht, UÇK-ja identifikohet me dr. Ibrahim Rugovën, profesor Fehmi Aganin, juristin e diplomuar Sali Çekaj; luftëtarët çetanikë Hamëz e Adem Jasharin, Zahir Pajazitin; strategët ushtarakë - ministrin Ahmet Krasniqin, kolonel Tahir Zemaj me bashkëluftëtarët e tjerë. Kupolë e organizimit ushtarak, madje mbi baza të shkencës ushtarake moderne, pahamendje, ishte ushtaraku profesionist - kolonel Ahmet Krasniqi, i goditur me plumba kokës në zemër të Tiranës, me dijeninë dhe aprovimin e kastës komuniste në pushtet.

Çuditërisht, nga gjithë ai lumë dhe llumë shkrimesh e fjalësh, të mbushura me patriotizëm e patetizëm për Kosovën dhe mallkime e sharje për Dick Marty-në e Serbinë, që ngarkojnë qëllimshëm me krime UÇK-në, askush nuk u kujtua të thotë se Hashim Thaçi nuk përfaqëson UÇK-në, sepse ai identifikohet vetën me disa grupe të armatosura, të paktë në numër, të shprehur në përqindje të numrit të përgjithshëm të luftëtarëve të UÇK-së, nuk përbënin më shumë se 2 deri në 5 %, që, realisht, nuk përbënin as ushtri dhe, nuk kishin asnjë lidhje me UÇK-në reale, ose, më sakt, ishin në amiqësi me atë, e cila numëronte nga 95 deri 98 % të luftëtarëve .

Paraqitja e këtij fakti bazal, bërja e akuzës në adresë të gabuar nga Dick Marty, duke denoncuar edhe qëllimin e autorit të akuzës dhe të miqve të tij, do të ishte një përgjigje e mençur, profesionale dhe e faktuar bindshëm, duke shprehur gadishmërinë e shtetit të Kosovës, për të bashkëpunuar sinqerisht dhe seriozisht me hetuesinë ndërkombëtare, ashtu siç u zotua kryeministri shqiptar prof. dr. Sali Berisha, në emër të shtetit shqiptar, për të qenë i hapur dhe bashkëpunues i çdokohshëm. Nëse kundërshtia e adresimit të gabuar në përfaqësimin e UÇK-së do të bëhej qysh në publikimin e raportit akuzues të Marty-së, akuza do të lokalizohej e minimizohej deri në pa rëndësi, duke përjashtuar çdo mundësi të njollosjes, madje, pa fije të drejte, të UÇK-së dhe të luftës të shenjtë të popullit të Kosovës. Megjithatë, kjo duhet bërë edhe tani, sepse siç thotë urtia: "Më mirë vonë se kurrë".

Nuk ishte Ibrahim Rugova ai që pengoi bashkimin e faktorit ushtarak në Kosovë

Sistemi i drejtësisë në Kosovë - si tepricë teknologjike për më shumë se një dakadë, i shantazhuar dhe i tmerruar nga bandat e kuqe numerike anekënd Kosovës, të privilegjuara dhe të mbrojtura fort nga UNMIK-u, është paguar kot, sepse nuk e ka kryer, as për së afërmi, detyrën që ligji dhe kushtetuta ia ngarkon këtij sistemi. Por, tani që përfaqësuesit e drejtësisë u ndjen të gjallë, për ta mbrojtur kryministrin e shkarkuar, më sakt, të vetëshkarkuar, të larguar, në dorëheqje apo i dorëhequr, por edhe më aktiv se sa kur ishte tamam në post, për të nxjerrë ligje dhe vendime, të cilat, në pozicionin aktual, nuk duhej të merrej me punë të tilla, në vend të kryeministrit, duhet ta mbrojnë Kosovën dhe luftën e saj për liri, sepse duke e mbrojtur UÇK-në faktike, do të mbrohet edhe kryeministri, sepse do të rezultojë edhe roli episodik i kryeministrit përgjatë luftës të Kosovës, si dhe pesha reale e përgjegjësisë në këtë luftë, aq më pak kur dihet se ai nuk ishte pjesë e luftës dhe nga larg nuk ka mundur t´i kontrollojë ato grupe, disa prej të cilave koha ka dëshmuar se u mungonte ndjenja e përgjegjësisë dhe ishin të prirura për anarshi dhe banditizëm të skajshëm.

Dhe, pikërisht, duke u nisur nga faktori ushtarak që ka vepruar në Kosovë, dy grupet e ndara deri në gjakderdhje, pse kështu u projektua në Tiranë, nga krerët komunistë të shtetit, kryesisht, Rexhep Mejdanit, Skënder Gjinushit e Paskal Milos me shokë dhe të zbatuar në Kosovë nga Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi me shokë, madje, me gjithë kundërshtitë, për këtë ndarje, që kanë pasur disa nga grupet në terren, në emër të të cilëve janë thirrur zëdhënësi dhe komisari! Faktori ushtarak ka qenë i ndarë realisht gjatë luftës. Tendenca për ta bashkuar tani, në paqe, grupimin e madh institucional, i cili identifikohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe aleatët e saj të djathtë dhe grupin minor të Lëvizjes (LPK), me ideologji komuniste, enveriste e staliniste, është cinizëm, hipokrizi dhe falsifikim i skajshëm. Kryesuesi i shtabit, Sylejman Selimi, në emër të të cilit janë thirrur nga Tirana zëdhënësi dhe komisari, ka pasur nderin dhe burrërinë për ta pranuar, poublikisht e botërisht, një të vërtetë absolute se "nuk ishte Ibrahim Rugova ai që pengoi bashkimin e faktorit ushtarak gjatë luftës në Kosovë, por ishte Jakup Krasniqi ai që e injoroi tërësisht këtë bashkim". Tirana zyrtare e pranverës të 1998-ës planifikonte boshtin komunist Beograd- Prishtinë- Shkup-Podgoricë-Tiranë me kokën e madhe - Moskën. Prandaj kuadri epror i PDK-së mbajnë fotografinë e Enver Hoxhës edhe në qilerët e grave të tyre, duke përkujtuar ditëlindjen e diktatorit më të egër shqiptar, madje i të gjitha kohërave, edhe në vitin 2008 në Prishtinë!!!

Varret e krimit të organizuar politik janë anekënd Kosovës

Kundërshtimi dhe demantimi i akuzës përgjithsuese të Dick Marty-së bëhet vetëm duke iu referuar realitetit të luftës në zonën e dominimit që ka pasur Hashim Thaçi, ose, të paktën, që është thirrë në atë, si komisar politik. Ishte dëshmia e Jakup Krasniqit në Hagë ajo që e shpëtoi të akuzuarin për vrasje grupore Fatmir Limajn. Kur Gjykata e Hagës ia kujtoi komunikatat bombastike, mburracake e rrenacake të Jakupit, të lëshuara nga vilat e Tiranës, ai i quajti propagandë lufte, duke relativizuar dhe mohuar edhe vetë UÇK-në, duke thënë se ishin grupe pa ndonjë komandë hierarkike të centralizuar. Veçsa nuk tha se ishin banda bashibuzuke që vepronin pa asnjë komandë! Dhe, Jakupi duhet përgëzuar për pranimin e një realiteti në ato zona, ku ai me Hashimin "sundonin"! Ishte pikërisht kjo gjendje anarshiste e Lëvizjes që i zhyti në krime, kryesisht, vrasje të bashkëkombasëve, me qëllim të marrjes të pushtetit. Gjykata e Hagës, bazuar edhe në burime të tjera, se krahu kundrainstitucional, i cili identifikohet me Lëvizjen, përkatësisht, me Hashimin, nuk ishte ushtri, por grupe të armatosura, liroi komandantin Limaj dhe dënoi ushtarin Haradin Bala, për ekzekutimin e 13 shqiptarëve në burgun e Llapushnikut - Drenicë! Pra, lirohet ustai dhe dënohet çiraku. Bala u dënua me 13 vjet burg! Nëse do të gjykohej në Amerikë, për një vrasje të ngeshme dënimi është i përjetshëm, por, zakoinisht, i dënuari i vuan 33 vjet burg aktiv. Dhe, po të kemi parasysh se para 6 vitesh një gjykatë amerikane e dënoi mashtruesin bankar Bernard Madoff, atëherë, 65 vjeçar, me 150 vjet burg, ushtari-polic Bala do të dënohej me 429 vjet burg! Por, ne kemi parë edhe "drejtësinë" e UNMIK-ut, i cili për disa vrasje faktike dënonte nga 2 deri në 5 vjet burg!!! Ndërkohë, në vendet nga vinin këta gjykatës, për një krim- vrasje, dënohen me burgim të përjetshëm.

Hashim Thaçi është para një paralajmërimi serioz. Akuza e trafikimit të organeve, e drogës dhe të armëve edhe mund të kalohen, sepse, duken disi të pakapshme, jo bindëse. Por, që këtej mund të kalohet në akuza konkrete, krejt të besueshme, sepse Kosova është përgjakur jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas luftës. Dhe, varret e krimit të organizuar politik janë anekënd Kosovës. Dhe, siç ka thënë edhe ish-presidenti i vendit Sejdiu se" këta njerëz nuk janë vrarë nga jashtëtokësorët!! Hashimi duhet ta lërë megallomaninë dhe "unin", se "unë e solla lirinë", se "unë e shpalla pavarësinë" dhe përralla të tjera me mbret dhe pa mbret. Sepse lirinë e solli NATO dhe pavarësinë shtetbërësi i Kosovës, Presidenti Historik dr. Ibrahim Rugova. Por, të deklarojë rolin e tij faktik, duke qenë gjatë luftës jashtë Kosovës dhe të mos marrë përsipër barrën që nuk i takon. Atë që pranoi Jakupi në Hagë, duhet ta pranojë Hashimi pa shkuar në Hagë. Një qëndrim i tillë i natyrshëm do ta lehtësonte vet Hashimin dhe Kosovën. Nëse individë apo grupe janë përfshirë në krime, të përgjigjet gjithsecili për të bëmat vetjake apo grupore. Ndërsa UÇK-së të mirëfilltë, duhet t´i dalin zot komandantët e saj që i kanë mbijetuar luftës.

Hashim Thaçi duhet t´i lërë shantazhet se kinse i dinë informatorët e Dick Marty-së nga mesi i bashkëkombasëve. Ai duhet t´i lërë edhe marrëzitë tjera, siç janë prononcimet publike dhe paushalle lidhur me zgjedhjet e fundit, duke i cilësuar si "të shkëlqyera dhe më të arriturat e deritashme" kur dihet se janë në rinumërim e sipër 40 % të votave të përgjithshme dhe bëhet fjalë për vjedhje masive të tyre, pikërisht, nga partia e tij dhe SHIK-u i saj famëkeq.fund

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat