Shënohen 271 raste të kolerës në Mozambik

Afrika

Shënohen 271 raste të kolerës në Mozambik

Më: 31 mars 2019 Në ora: 11:35
Mozambik

Qeveria e Mozambikut ka njoftuar se numri i rasteve të konfirmuara të kolerës në këtë shtet të Afrikës jugore ka shkuar në 271 në 48 orët e fundit.

Autoritetet shtetërore dhe punëtorët shëndetësorë po përpiqen që ta parandalojnë përhapjen e sëmundjes pasi cikloni Idai e goditi qytetin e Beiras më 14 mars. Ky ciklon kishte shkaktuar vërshime shkatërruese, në të cilat vdiqën më shumë se 700 njerëz në Mozambik, Zimbabve dhe Malavi.

Në ceremoninë e hapjes së një qendre të përkohshme për trajtimin e sëmundjes në Beira, ministri i mjedisit, Celso Correia, tha se deri tash janë raportuar 271 raste të kolerës. Ai tha se 138 raste janë lajmëruar në qendrat shëndetësore vetëm gjatë 48 orëve të fundit.

“Nuk kemi ndonjë rast të vdekjes nga kjo sëmundje në spitalet tona”, tha Correia.

Sidoqoftë, të premtën dy njerëz kanë vdekur jashtë spitaleve për shkak të dehidrimit dhe diarresë.

Rrugët drejt shumë zonave në Mozambik dhe Zimbabve janë bllokuar për shkak se shiu i madh dhe vërshimet i kanë shkatërruar ato, shkruan “Reuters”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat