Presidenti 92-vjeçar i Tunizisë premton se nuk do të kërkojë mandat të ri

Afrika

Presidenti 92-vjeçar i Tunizisë premton se nuk do të kërkojë mandat të ri

Më: 7 prill 2019 Në ora: 09:50
Beji Caid Essebsi

Presidenti 92-vjeçar i Tunizisë ka njoftuar se nuk planifikon të marrë pjesë në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti, pavarësisht thirrjeve që ta bëjë një gjë të tillë.

Beji Caid Essebsi tha në një takim të partisë së tij se dikush më i ri duhet të zgjidhet në këtë pozitë. Ai i kishte fituar zgjedhjet e para të lira, të cilat ishin mbajtur në vitin 2014.

Ish-presidenti i këtij vendi, Zine el-Abedine Ben Ali, ishte rrëzuar nga pushteti në vitin 2011 pas 23 vjetësh qëndrimi në pushtet. Ai ishte larguar nga pushteti përmes kryengritjeve të Pranverës Arabe.

Tunizia është bërë shembull i mirë si vendi i vetëm që ka kaluar në sistemin demokratik përmes revolucionit. Sidoqoftë, viteve të fundit vendi është përmballur me sulme, probleme ekonomike dhe nivel të lartë të papunësisë.

Partia e Essebsit i ka bërë thirrje atij që të kandidojë sërish për president për shkak se kushtetuta ia mundëson edhe një mandat tjetër. Megjithatë, ai tha se nuk mendon që do ta bëjë një gjë të tillë dhe se ka ardhur koha që të hapen dyert për të rinjtë.

Zgjedhjet presidenciale në Tunizi do të mbahen më 17 nëntor, por asnjë nga partitë kryesore nuk e ka shpallur ende kandidatin e vet për president të ardhshëm të vendit afrikan, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat