Libi, 75 të vdekur nga përleshjet në Tripoli

Afrika

Libi, 75 të vdekur nga përleshjet në Tripoli

Më: 12 prill 2019 Në ora: 17:30
Libi

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se 75 persona, përfshirë shtatë civilë, kanë humbur jetën nga përleshjet në kryeqytetin e Libisë, Tripoli, ndërsa 323 të tjerë janë plagosur.

Këto të dhëna u shpalosën nga Jaffar Hussain, përfaqësuesi i OBSH-së për Libinë, përmes një telekonference për gazetarët në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, raporton Anadolu Agency (AA).

Hussain tha se dhjetë civilë po ashtu gjenden në mesin e të plagosurve dhe theksoi se përleshjet në Tripoli, që filluan më 5 prill, janë duke u ashpërsuar.

Ai tha se përleshjet përreth qytetit janë duke avancuar drejt brendësisë së qytetit, duke shprehur shqetësime se numri i viktimave në mesin e civilëve mund të rritet në ditët në vijim.

Sipas tij, mbi gjashtë mijë civilë janë shpërngulur si pasojë e konfliktit dhe janë vendosur në ndërtesa të sigurta, siç janë shkollat.

“Jemi të shqetësuar që qasja e popullatës në spitale është shumë e kufizuar për shkak të luftimeve”, tha Hussain, duke alarmuar se institucionet shëndetësore kanë pajisje për gjendje emergjente për vetëm dy javë.

Më 5 prill, Khalifa Haftar, komandant ushtarak në Libinë lindore, nisi një operacion ushtarak për të kapur kryeqytetin Tripoli, ku gjendet selia e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të mbështetur nga OKB.

Operacioni filloi para “konferencës së dialogut kombëtar” që do të mbahej në Libi nën mbikëqyrjen e OKB-së më 14-16 prill.

Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO-ja çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muamar Gadafi pas katër dekadash në pushtet.

Që atëherë, ndarjet politike në vend kanë shkaktuar ndarjen e pushtetit, një në qytetin lindor të Al-Bayda, me të cilën Haftar është i lidhur, dhe qeveria e mbështetur nga OKB-ja në Tripoli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat