Përveç pandemisë, pasiguri në ushqime, tashmë edhe përmbytje në Afrikë - Bota Sot
Përveç pandemisë, pasiguri në ushqime, tashmë edhe përmbytje në Afrikë

Afrika

Përveç pandemisë, pasiguri në ushqime, tashmë edhe përmbytje në Afrikë

Më: 9 maj 2020 Në ora: 17:11
Afrikë

Si të mos mjaftonte rreziku i shtuar i pasigurisë ushqimore për shkak të pandemisë globale, rajonet Lindore të Afrikës, që nga fundi i prillit, po përballen me reshje të jashtëzakonshme, duke shkaktuar përmbytje masive në disa shtete në lindje të kontinentit të varfër.

Më shumë se 260 persona, kanë humbur jetën, ndërsa qindra të tjerë janë evakuuar nga shtëpitë e tyre, të cilat i rrëmbyen vërshimet lumore dhe rrëshqitje të tokës.

Edhe liqeni Viktoria, hapësira më e madhe ujore në atë rajon, ka thyer barrierat, si pasojë e nivelit të prurjeve, më të lartat në 60 vitet fundit.

Kjo situatë e rënduar hidrometeorologjike i atribuohet temperaturave të larta të regjistruara në Oqeanin Indian gjatë periudhës tetor 2019-prill 2020, temperatura të cilat kanë diktuar periudhë të gjatë me reshje intensive.

Parashikimet stinore të realizuara nga qendrat meteorologjike afrikanolindore kanë rezultuar të sakta ashtu sikundër, sistemi i paralajmërimit të hershëm të popullsisë me anë të radios apo mesazheve, ka qenë efikas në shumë prej zonave të përmbytura.

Ndërsa parashikimet meteorologjike afatmesme sinjalizojnë përvijim të reshjeve me intensitet të lartë në të njëjtat zona edhe për të paktën, javën tjetër. Vetëm në gjysmën e dytë të muajit maj, pritet pakësim i reshjeve në pjesën më të madhe të Afrikës Lindore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat