Grusht shteti në Sudan: Forcat e sigurisë akuzohen për dhunë tw tepruar ndaj protestuesve

Afrika

Grusht shteti në Sudan: Forcat e sigurisë akuzohen për dhunë tw tepruar ndaj protestuesve

Më: 26 dhjetor 2021 Në ora: 22:04
Foto ilustrim

Forcat e sigurisë sudane janë akuzuar për përdorim të dhunës së tepruar gjatë protestave kundër sundimit ushtarak në kryeqytetin Khartoum. Një sindikatë e mjekëve aleate me lëvizjen protestuese tha se 178 demonstrues u plagosën të shtunën dhe ka akuzuar forcat e sigurisë për përdorimin e plumbave të vërtetë.

Autoritetet sudaneze, ndërkohë, thanë se rreth 58 oficerë policie kishin raportuar për lëndime gjatë demonstratave. Ata shtuan se më shumë se 100 persona janë arrestuar në kryeqytet.

Në demonstratat pro-demokracisë të shtunën u panë mijëra protestues që iu afruan pallatit presidencial për herë të dytë brenda një jave, duke valëvitur flamuj dhe duke brohoritur parulla kundër ushtrisë. Ata u pritën nga një prani e fortë e sigurisë dhe u përdor gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Kishte gjithashtu demonstrata në një numër qytetesh të tjera, duke përfshirë Port Sudanin, ku pati raportime për arrestimin dhe rrahjen e njerëzve. Aktivistët planifikuan një seri protestash në rrugë për të shtunën, saktësisht dy muaj që kur gjeneralët nisën kontrollin e tyre.

Fundjavën e kaluar, qindra mijëra demonstrues marshuan nëpër Khartoum duke kërkuar rivendosjen e sundimit civil pas grushtit të shtetit ushtarak më 25 tetor. Më shumë se 100 persona u plagosën në përleshjet me policinë në protestat e javës së kaluar. Forcat e sigurisë u akuzuan gjithashtu për abuzim seksual të disa grave dhe vajzave, shkruan BBC.

Udhëheqësi i grushtit të shtetit, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan ka mbrojtur kontrollin ushtarak të tetorit, duke pretenduar se ushtria veproi për të parandaluar një luftë civile sepse grupet politike kishin nxitur civilët kundër forcave të sigurisë.

Ai ka thënë se mbetet i përkushtuar ndaj kalimit në sundimin civil, me zgjedhjet e planifikuara për në korrik 2023. Megjithatë është e paqartë se sa pushtet do të ketë qeveria e re civile, pasi ajo do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes ushtarake.

Aktivistët pro-demokracisë akuzojnë ushtrinë për vjedhjen e revolucionit që çoi në rrëzimin e sundimtarit afatgjatë Omar al-Bashir në vitin 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat