Trashëgimia që la heroi i anti-aparteidit, Desmond Tutu

Afrika

Trashëgimia që la heroi i anti-aparteidit, Desmond Tutu

Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 19:46
Foto ilustrim

Ditën e shtunë zhvillohet funerali i kryepeshkopit të Afrikës së Jugut, Emeritus Desmond Tutu, i cili vdiq të dielën në moshën 90 vjeçare. Laureati i çmimit Nobel për paqen njihej në mbarë botën për aktivizmin kundër aparteidit dhe si një mbrojtës i të drejtave të njeriut.
 

Afrika e Jugut do të jetë në zi deri të shtunën, kur mbahet funerali i Kryepeshkopit Emeritus Desmond Tutu, i cili vdiq të dielën në moshën 90 vjeçare.

Zoti Tutu ishte shumë më tepër se një udhëheqës shpirtëror. Ai e kaloi jetën e tij duke mbrojtur të drejtat civile dhe duke folur kundër padrejtësive, korrupsionit dhe shtypjes.

Në vitin 1984 Kryepeshkopi u nderua me çmimin Nobel për Paqe, për aktivitetin e tij kundër regjimit racist të aparteidit në Afrikën e Jugut.

Ai ishte në krye të procesit të shërimit të vendit pas aparteidit. duke kryesuar Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit, gjatë seancave ku u dëgjuan rrëfime të tmerrshme e padrejtësi.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa gjatë homazheve për zotin Tutu tha se “ai ishte një nga patriotët më të mirë të kombit”.

“Ai kishte një guxim të palëkundur dhe bindje parimore. Jeta tij ishte në shëbim të të tjerëve. Ai mishëronte thelbin e humanizmit”, tha Presidenti Ramaphosa.

Pavarësisht vështirësive me të cilat u përball, Emeritus Desmond Tutu do të mbahet mend për aktivitetin e tij paqësor dhe aftësinë për të falur.

“Ishte njeri i mrekullueshëm. Ai luftoi qeverinë e aparteidit, por kundërshtonte edhe qeverinë aktuale”, thotë Victor Verwee, banor.

"Mendoj se Afrika e Jugut humbi një legjendë. Kishim nevojë që ta kishim në mesin tonë edhe më gjatë. Do të na mungojnë mësimet e tij. Na duhej ende”, thotë Mohamet Asam Carelse, një banor tjetër.

Homazhet për zotin Tutu ishin të shumta. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden thanë se u trishtuan kur morën lajmin për vdekjen e Kryepeshkopit Tutu.

“Guximi dhe morali i tij ndihmuan në frymëzimin dhe angazhimin tonë për të ndryshuar politikën amerikane ndaj regjimit represiv të Aparteidit në Afrikën e Jugut”, tha zoti Biden në deklaratën e tij.

Ish Presidenti Barak Obama, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, udhëheqësi shpirtëror i Tibetit që ndodhet në mërgim, Dalai Lama, Fondacioni Nelson Mandela dhe udhëheqës e entitete tjera në botë bënë homazhe për Kryepeshkopin afrikan./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat