Puç ushtarak në shtetin me mbi 20 milionë banorë, reagon OKB-ja

Afrika

Puç ushtarak në shtetin me mbi 20 milionë banorë, reagon OKB-ja

Më: 25 janar 2022 Në ora: 09:01
Burkina Faso

Ushtria në Burkina Faso, shtet në Afrikën Perëndimore me mbi 20 milionë banorë, ka thënë se e ka marrë pushtetin dhe e ka rrëzuar Presidentin Roch Kabore.

Njoftimi u dha në televizionin shtetëror nga një oficer ushtarak, i cili e përmendi si arsye përkeqësimin e situatës së sigurisë për marrjen e pushtetit nga ushtria.

Presidenti Kabore ishte përballur me rritje të pakënaqësisë për dështimin e tij që të luftonte një kryengritje islamiste. Vendndodhja e tij nuk është e qartë, por oficeri ushtarak tha se të gjithë personat e ndaluar janë në vend të sigurt.

Më herët, partia që ishte në pushtet deri tash, Lëvizja Popullore për Progres, tha se Presidenti Kabore dhe një ministër i kanë mbijetuar vrasjes në tentativë, shkruan BBC.

Në deklaratën e ushtrisë thuhet se Kabore ka dështuar që ta bashkojë kombin dhe të merren në mënyrë efektive me krizën e sigurisë, e cila “i kërcënon themelet e kombit tonë”.

Aty shtohet se qeveria dhe kuvendi janë shpërndarë dhe se kushtetuta është pezulluar, por u premtua “kthimi në rend kushtetuar brenda një kohe të arsyeshme”.

Ushtria gjithashtu njoftoi për mbylljen e kufijve të Burkina Faso-s.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e dënoi puçin dhe i bëri thirrje ushtrisë që “ta sigurojë mbrojtjen dhe integritetin fizik” të ish-presidentit Kabore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat