Qeveria e Etiopisë dhe autoritetet e Tigrayt kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisjen e ofensivave ushtarake, duke rritur frikën për rikthimin e konfliktit në përmasa të plota.
Getachew Reda, këshilltar i kryeministrit etiopian Abiy Ahmed, deklaroi se forcat e Tigrayt kishin marrë nën kontroll aeroportet në rajon, të administruara nga qeveria federale, dhe kishin nisur ofensiva në rajonet fqinje të Afarit dhe Amharas.
Nga ana tjetër, autoritetet e Tigrayt thanë se forcat e tyre ishin detyruar të hynin në një “luftë mbrojtëse”, pas raportimeve për sulme me dronë në rajon.
Lufta dyvjeçare në Tigray përfundoi në vitin 2022 me Marrëveshjen e Pretorias, por gjatë muajve të fundit palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes së paqes.
Konflikti konsiderohet ndër më vdekjeprurësit e këtij shekulli. Sipas vlerësimeve të ndërmjetësit të Bashkimit Afrikan, rreth 600 mijë njerëz humbën jetën, ndërsa luftimet e çuan rajonin në prag të urisë.
Të dielën, Fronti Popullor për Çlirimin e Tigrayt (TPLF), partia që kontrollon rajonin, njoftoi një aleancë me gjashtë grupe të tjera të armatosura në Etiopi, me synimin për të rrëzuar qeverinë në Addis Ababa.
“Është jashtëzakonisht dëpëruese të mësosh se, pavarësisht përpjekjeve të shumë aktorëve, përfshirë komunitetin ndërkombëtar, për të shmangur një tjetër raund lufte në Tigray, udhëheqja e TPLF-së herët këtë mëngjes nisi një ofensivë të gjithanshme kundër pozicioneve qeveritare në Afar dhe Amhara”, deklaroi Getachew.
Këshilltari i kryeministrit Abiy Ahmed kishte drejtuar më parë administratën e përkohshme të Tigrayt, por në vitin 2025 u përplas me TPLF-në dhe iu bashkua qeverisë federale.
Pas marrjes së kontrollit të aeroporteve, Ethiopian Airlines anuloi të gjitha fluturimet drejt Tigrayt.
Banorë të Mekelles, qytetit kryesor të Tigrayt, i thanë BBC-së se forcat lokale kishin marrë kontrollin e aeroportit të qytetit nga policia kombëtare herët të mërkurën. Kjo ndodhi pas raportimeve për sulme me dronë në Tigray gjatë ditëve të fundit.
Të martën, një sulm në qytetin jugor të Alamatës vrau të paktën 14 persona dhe plagosi 22 të tjerë, sipas autoriteteve të Tigrayt.
Kryebashkiaku i qytetit, Mogos Shiferaw, tha për BBC-në se më shumë se pesë dronë dhe një avion luftarak kishin kryer mbi 21 sulme, duke nisur rreth orës 03:30.