Në Jemen kolera vret mijëra njerëz

Afrika

Në Jemen kolera vret mijëra njerëz

Më: 15 maj 2017 Në ora: 15:49
Jemen

Është shpallur gjendje e jashtëzakonshme në kryeqytetin e Jemenit, Sanaa, pas shpërthimit të kolerës që vrau një numër të madh njerëzish.

Spitalet në qytet, i cili kontrollohet nga rebelët e Houthit, janë të mbushur me pacientë me kolerë.

Kryqi i Kuq thotë se numri i rasteve të dyshuara në vend brenda javës është trefishuar në më shumë se 8,500.

Jemeni është shkatërruar nga uria dhe lufta civile, duke lejuar që sëmundja të përhapet me shpejtësi.

Sipas OKB-së, dy të tretat e popullsisë nuk kanë qasje në ujë të pijshëm.  Dominik Stillhart, drejtor i operacioneve në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, tha të dielën në një konferencë shtypi në Sanaa se 115 persona kanë vdekur nga kolera që nga 27 prilli deri më 13 maj.

Kolera është një sëmundje e ujit, e cila bartet nëpërmjet ujit dhe ushqimit të kontaminuar.

Simptomat përfshijnë diarre akute dhe vjellje. Njerëzit me kolerë mund të sëmuren keq dhe nëse nuk trajtohen, mund të vdesin brenda disa orësh.

Ky është shpërthimi i dytë i kolerës brenda vitit.

OBSH tha javën e kaluar se më pak se 45 përqind e objekteve shëndetësore në Jemen janë funksionale.

Gati 300 spitale dhe klinika janë dëmtuar ose shkatërruar në luftën midis forcave besnike ndaj Presidentit Abdrabbuh Mansour Hadi,  i cili mbështetet nga një koalicion shumëkombësh i udhëhequr nga Sauditi, dhe ata që janë aleatë me lëvizjen rebele të Houthit. Që nga përshkallëzimi i luftës në mars të vitit 2015, më shumë se 8,010 njerëz - kryesisht civilë - janë vrarë dhe rreth 44,500 të tjerë janë plagosur, thotë OKB. Lufta civile ka lënë gjithashtu 18.8 milionë njerëz në krizë humanitare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat