Televizioni shtetëror sirian ka shfaqur pamje të dhjetëra civilëvë të sëmurë dhe të plagosur , duke u larguar nga Guta Lindore, që është nën kontrollin e rebelëve.
Një grup i civilëve janë shfaqur teksa kanë arritur në Wafideen dhe një grua ka thënë se ka pritur për më shumë se një vit që të evakuojë fëmijën e saj të sëmurë.
Ndërkaq, ushtria ruse ka thënë se rreth 100 persona janë larguar nga qyteti Duma, që gjendet në rajonin e Gutas.
Yasser Delwan, anëtar i grupit më të madh rebel në këtë rajon, ka konfirmuar se një grup i personave me probleme shëndetësore janë larguar nga rajoni, pas një marrëveshjeje për evakuim mjekësor me Rusinë, aleatin kyç të qeverisë siriane.
Sidoqoftë, grupi Jaysh al-Islam është zotuar se nuk do të largohet nga kjo zonë dhe të vazhdojë luftimet kundër forcave siriane.