Gjashtë gra albine ngjiten në Kilimanxharo

Afrika

Gjashtë gra albine ngjiten në Kilimanxharo

Më: 3 nëntor 2018 Në ora: 21:49
Gratë albine

Në fillim të tetorit, gjashtë afrikane albine vendosën të ngjiten në malin e Kilimanxharos në Tanzani.Albinizmi është një gjendje që prek pigmentin e lëkurës, flokëve dhe syve. Objektivi i tyre ishte të rrisnin ndërgjegjësimin për njerëzit që jetojnë me albinizëm. Gratë nga vende të ndryshme afrikane, kanë vuajtur abuzimin dhe diskriminimin, për shkak të gjendjes së tyre.

Gjashtë gra albine; gjashtë afrikane të vendosura të ndryshojnë mënyrën se si e sheh bota gjendjen e tyre, duke ndërmarrë sfidën më të vështirë të jetës së tyre.

“Ndërsa eci përmes luginës së jetës dhe vdekjes, nuk do të druhem në asnjë hap nga e keqja. Me besimin tim lëviz malet. Do të flas nga lartësia e tyre. Jam duke u ngjitur në male.”

Alpinistet u nisën më 1 tetor. Të ngjitesh në malin më të lartë të Afrikës, është një sfidë për çdo alpinist. Për njerëzit albinë, kjo sfidë është e jashtëzakonshme.

“Asnjëherë më parë nuk kam qenë aq e ekspozuar ndaj diellit dhe shikimi im i dobët nuk ishte vënë ndonjëherë përballë një sfide kaq të vështirë”,- thotë alpinistja nga Zimbabaveja.

Nodumo thotë se në Zimbabve jeta si albine nuk ishte aq e vështirë sa në vende të tjera, ku mitet dhe bestytnitë mund të shkaktojnë shpesh abuzim dhe dhunë. Por ajo ka vuajtur çdo ditë nga diskriminimi.

“Më tallnin shumë në shkollë. Më ngacmonin në publik, thjesht kur kaloja rrugën”, thotë ajo.

Megjithë këto sfida madhore. Nodumo u diplomua në Universitetit Yale në Shtetet e Bashkuara dhe punon si konsulente për arsimin.

Sfidën më të vështirë mund ta ketë patur Mariamu Staford. Ajo u sulmua në shtëpinë e saj nga një grup burrash, që i prenë krahët. Ajo ka tani një biznes tekstilesh në Tanzani. Të gjashtë gratë e morën këtë nismë për të rritur ndërgjegjësimin për njerëzit albinë.

“Në media për shembull, flitet për gratë albine, sikur të jenë viktima dhe ato shihen me mëshirë. Ne donim të tregonim sejemi shumë më të zonjat për të arritur sukses, nga sa mendohet, për shkak stereotipeve të krijuara”, thotë Nodumo Ncomanzi.

Katër nga pjesëtaret e ekipit arritën lartësinë 4 mijë e 700 metra, deri në momentin kur mjekët i këshilluan të ndaleshin. Dy të tjerat vazhduan: Nodumo dhe kenianja Jane Waithera, që ju desh të ndalonte vetëm 20 metra para se të arrinte në majë, pasi kishte vrarë gjurin.

Më 7 tetor, Nodumo Ncomanzi arriti në lartësinë 5 mijë e 895 metra, duke përfaqësuar ekipin në majën e Kilimaxharos.

Ishte një arritje e jashtëzakonshme për këto gra. …Dhe ndoshta një hap përpara në luftën për t’i dhënë fund diskriminimit dhe abuzimit ndaj njerëzve albinë./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat