DW: Kosova dhe Donald Trump – SHBA fuqia mbrojtëse e Kosovës

Aktuale

DW: Kosova dhe Donald Trump – SHBA fuqia mbrojtëse e Kosovës

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 00:10
Donald Trump

Ajo çfarë tani duket si përshkallëzim, është vetëm hapi i ardhshëm drejt shkëputjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia. SHBA-të dhe Rusia i kanë zënë pozicionet. BE-ja duhet të jetë më aktive, thotë në komentin e saj Adelheid Feilcke, drejtore e Departamentit të Evropës në Deutshe Welle.

Ajo që tani po ndodh me Kosovën, po ndjek logjikën e rendit të ri botëror, të rendit botëror të Donald Trumpit ose të Valdimir Putinit e jo logjikën e OKB-së apo të BE-së. Dhe kështu nuk është çudi që avokati më i rëndësishëm i kosovarëve është SHBA-ja, ndërsa Rusia mbështet qëndrimet e Serbisë. Rusia në anën e Serbisë, SHBA-ja si fuqia mbrojtëse e Kosovës.

Këtu në periferi të Evropës po piketohen sferat e interesit: Pasi Mali i Zi vitin e kaluar u anëtarësua në NATO edhe Maqedonia pas zgjidhjes së çështjes së emrit, mund t’i bashkohet së shpejti aleancës mbrojtëse perëndimore, ndërsa në Ballkan do të mbeten vetëm tre vende me përkatësi politike të pasqaruar: Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Edhe pas vitesh dhe dekadash përpjekjesh diplomatike të përsëritura, sidomos nga ana e BE-së, është arritur shumë pak në drejtim të çtendosjes dhe nuk dihet se ç’drejtim po merr situata.

Dobësi e organizatave shumëkombëshe

Po në këtë linjë edhe zhvillimet e fundit në Kosovë janë një simptomë e dobësisë së organizatave shumëpalëshe, sidomos të BE-së dhe të OKB-së. Në një përpjekje për të balancuar interesat kundërthënëse të anëtarëve të tyre, ata nuk janë në gjendje të japin deklarata të qarta. Vërtet që, të alarmuar me ngjarjet e javëve të fundit, të gjithë apelojnë për moderim, por këto apele nuk mbeten pa efekt.

Sidomos BE-ja ka humbur jo vetëm simpatinë, por edhe autoritetin, sepse ajo nuk është në gjendje ta mbajë fjalën për perspektivën e anëtarësimit, pasi në radhët e BE-së tendenca kundër integrimit të Ballkanit Perëndimor nuk po bie, por po rritet. Politikanët e Ballkanit Perëndimor kanë kohë që e kanë kuptuar këtë dhe po ndjekin axhendat e tyre: Këto kanë të bëjnë me ruajtjen e pushtetit personal dhe me interesat kombëtare në ekonomi dhe çështje të sigurisë. Bota e bukur e vlerave të një Europe të bashkuar e demokratike nuk ndodhet më në plan të parë.

Politika e brendëshme përfiton nga tensionet

Dhe kështu krijohen hapësira veprimi që nuk kanë si synim parimor bashkëveprimin e ndërsjelltë në rajon, por realizimin e interesave të veçanta – edhe duke vendosur kufizime, siç janë tarifat doganore prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës. Ëndrra për t’i bashkuar të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në një zonë ekonomike duke evituar kështu konfliktet e shtetësisë tani për tani duket se është vanitur.

Në vend të kësaj po shohim lojë me muskuj. Kundërshtarët kanë zënë pozicionet. E nga kjo përfitojnë të dyja palët. E parë nga perspektiva e tyre, deklaratat e presidentit të Serbisë dhe të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ishin tërësisht të suksesshme: Nga OKB-ja pati vetëm disa apele për moderim, por pa presion, pra, asgjë konkrete. Shumë më e rëndësishme: Të dy presidentët ishin në gjendje t’u tregonin njerëzve të tyre brenda vendit, se ata i përfaqësuan dhe i mbrojtën me dinjitet interesat e tyre para të gjithë botës. Kësisoj, tensionet aktuale po i forcojnë presidentët përkatës. Dhe po u vijnë në ndihmë atyre të shmangin vëmendjen nga problemet e shumta që kanë secili në vendin e vet.

Evropa po humbet shansin

Themelimi i Ushtrisë së Kosovës vërtet që në radhë të parë është një akt simbolik. Por Kosova kështu na tregon qartazi se mund t’i referohet të drejtës së saj si shtet sovran dhe po paraqitet me një vetëdije të re. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe 20 vjet pas luftës në Kosovë, njerëzit nuk duan më të jenë qytetarë të dorës së dytë, duke pasur përreth vende që janë anëtare në organizatat ndërkombëtare e  qytetarët e të cilëve gëzojnë lirinë e udhëtimit. BE-ja, nga ana tjetër, ende nuk po arrin të angazhohet në mënyrë aktive për Ballkanin Perëndimor dhe ta kuptojë atë si rajonin e shanseve. Vendet e saj ua refuzojnë kosovarëve të drejtën e udhëtimit pa viza, por nga ana tjetër kërkojnë heqjen e tarifave doganore. Kjo është e drejtë me logjikën e Evropës, por jo me logjikën “rendit të ri botëror”. Edhe dialogu i udhëhequr nga BE-ja midis Serbisë dhe Kosovës ka ngecur në vend. Prandaj Kosova kërkon nga SHBA-ja që ajo të përfshihet në dialog. E kjo nuk të habit!

Tani u bënë të njohura edhe letrat që presidenti amerikan Donald Trump u ka dërguar presidentëve Thaçi e Vuçiq, ku i fton ata në Shtëpinë e Bardhë, për të festuar një “marrëveshje historike”. Kjo na kujton “Camp David”. Por ende nuk ka marrëveshje, e as një dialog konstruktiv. E përsa është kështu, Evropa ka shansin të ndërhyjë e të tregohet më e vendosur në përfaqësimin e interesave të saj dhe të mos ta lërë këtë rajon të rëndësishëm e të lashtë të Evropës në mëshirën e fatit ose të fuqive të tjera me influencë. /DW

(Adelheid Feilcke është themeluese e seksionit shqip të Deutsche Welle, tash drejtore e Departamentit të Evropës në median gjermane për botën e jashtme)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat