Pacolli: Delegacioni për bisedime, shërbëtor i Thaçit

Aktuale

Pacolli: Delegacioni për bisedime, shërbëtor i Thaçit

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 15:29
Fitore Pacolli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka komentuar letrën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për homologun e tij kosovar Hashim Thaçi, duke thënë se ai kërkon unitet nga spektri politik në Kosovë, gjë që aktualisht nuk është ashtu.

Sipas saj, përveç se nuk ka unitet te partitë politike, ekipin dialogues të votuar në Kuvend ajo e ka quajtur ‘shërbëtor’ të presidentit Thaçi.

“Në fakt, presidenti Trump e ka konfirmuar se duhet unitet në vend. Ne tashmë nuk kemi një unitet. Ne kemi një person, Thaçin, i cili e ka marrë agjendën e dialogut dhe temën e korrigjimit të kufijve si temë të veten e ka privatizuar atë, dhe kemi një të ashtuquajtur delegacion që do t’i shërbejë si shërbëtor Thaçit”, tha Pacolli.

Ndryshe, ditë më parë, presidenti amerikan Donald Trump i dërgoi një letër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi përmes të cilës i kërkoi atij arritjen e marrëveshjes me Serbinë dhe se pret që arritjen e saj ta festojnë në Shtëpinë e Bardhë bashkë me të dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar edhe sot me kritika për politikën e jashtme të Kosovës, derisa kanë shtuar se kryeministri Haradinaj po bëhet qesharak kur po thotë se pret liberalizim të vizave në këtë fundvit.

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, në një konferencë për media ka folur për politikën e jashtme gjatë këtij viti.

Ajo tha se në vitin 2018, Kosova ka bërë shumë hapa mbrapa.

"Kemi kaluar një vit tepër të pazakontë në politikën e jashtme, me shumë probleme. Viti 2018 është një vit i gjatë gjatë të cilit Kosova ka bërë shumë hapa prapa. Konstatoj se viti 2018 përbën një regres të plotë, kaos institucional. Thanë se do të kemi njohje nga Serbia, anëtarësim në Interpol, premtuan edhe se këtë vit do të marrim statusin kandidat. 8 vjet dialog pa kushte me serbi, jo që nuk pat njohje, po edhe shtetësia u vu në rrezik. Duke hapur temën e korrigjimit të kufijve presidenti e ka thyer vendin sikur para pavarësisë", tha ajo.

Ajo ka folur edhe për lajmet se shumë shtete e kanë tërhequr njohjen e tyre për Kosovën.

"U munduam të kuptojmë më shumë dje nga ministri nëse ka pasur tërheqje të njohjeve, përderisa Pacolli e mohoj që ka pasur tërheqje të njohjeve, zëvendëskryeministri Hoxhaj e ka konfirmuar", tha ajo.

Pacolli tha se Kosova nuk ka pasur asnjë anëtarësim gjatë këtij viti, dështim total.

"Edhe në shërbimin e jashtëm nuk ka përmirësime. Mbi 80 përqind të përfaqësuesve janë politik. Nuk ka politikë të jashtme, pa politikë të brendshme. Kjo qeveri dështoj edhe me liberalizimin e vizave. Asnjëherë populli i Kosovës nuk është informuar saktë. Kryeministri po bëhet qesharak kur po thotë se pret të ketë liberalizim të vizave në këtë fundvit, kurse po shkohet në pushim dimëror. Në muajin mars të këtij viti ju kishim paralajmëruar se nuk do të ketë liberalizim të vizave. Konfirmimi nga komisioneri Hahn i cili tha se nuk do të ketë liberalizim të vizave nuk i ka gjetur të painformuar ministren e Integrimeve", tha ajo.

E pyetur rreth kërkesës së presidentit Tramp drejtuar presidentit Thaçi për unitet, ajo ka thënë se dialogun e ka përvetësuar presidenti.

"Presidenti Tramp e ka konfirmuar se duhet të ketë unitet në Kuvend, nuk ka unitet se një person e ka marrë çështjen e dialogut dhe një grup tjetër që po e bëjnë shërbëtorin", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat